Sipas analizave të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KSHPK), jurisprudenca vlerësohet si shtyllë me rrezik të lartë të ndikimeve korruptive dhe ndikimeve tjera, ndaj së këtejmi bartësit e funksioneve të kësaj shtylle, përkatësisht gjykatësit dhe prokurorët publik do të jenë pjesë e Planit vjetor për ndjekje të gjendjes pronësore dhe konfliktit të interesave për vitin 2020, kanë njoftuar nga Komisioni.
Duke e pasur parasysh gatishmërinë e demonstruar nga kryeministri Zoran Zaev për vënie në dispozicion të të gjitha kapaciteteve të pushtetit ekzekutiv për zbatim efikas të procedurave për kontrollim të gjendjes pronësore, shtojnë prej aty, konsiderojmë që është i domosdoshëm koordinim i të gjitha institucioneve kompetente, mirëpo në bazë të obligimeve konkrete nga ana e Qeverisë.
Zaev dje kërkoi Komisioni për Parandalim të Korrupsionit t’i kontrollojë pronat e gjykatësve dhe prokurorëve.
Nëpërmjet një video fjalimi, i theksoi se gjyqësori patjetër duhet të pastrohet nga të korruptuarit dhe kuadrot joprofesionale.
Kompetencat ligjore të Komisionit për parandalim të korrupsionit në pjesën e ndjekjes së gjendjes pronësore zbatohen nëpërmjet kontrollimit të saktësisë së të dhënave të shënuara në fletëankesat, si dhe kontrollimit të gjendjes pronësore nëse ka dyshim të bazuar që prona e personit është rritur në mënyrë joproporcionale në krahasim me të ardhurat e tij të rregullta dhe të ardhurat e anëtarëve të familjes së tij.
“Kontrollimi i gjendjes pronësore është kompetencë e re e Komisionit Shtetëror, për zbatimin e të cilit nevojitet fuqizim i kushteve ekzistuese njerëzore dhe materialo-teknike dhe përfshirje të organeve tjera hetimore”, thuhet në komunikatë.
Në pjesën e ndjekjes së gjendjes së konfliktit të interesave, Komisionit Shtetëror i kontrollon të dhënat nga deklaratat për interesa që kanë të bëjnë me vende të punës, anëtarësi në këshilla drejtues dhe mbikëqyrës, shoqata të qytetarëve dhe fondacione si dhe të dhëna tjera që kanë të bëjnë me personat e zgjedhur dhe të emëruar dhe anëtarët e familjeve të tyre.
Ndryshe, kjo është njëra prej masave që që i ka propozuar kryeministri Zaev për të pastruar gjyqësorin nga siç tha ai, të pandershmit.
“Kjo patjetër të ndalojë menjëherë! Gjyqësorin patjetër duhet ta pastrojmë nga gjykatësit dhe prokurorët e pandershëm, që të munden profesionistët dhe të ndershmit, në mënyrë të papenguar ta sigurojnë drejtësinë që e presin qytetarët. Antikorrupsioni, mu tani kryen kontrolle të parave dhe pronës së të gjithë anëtareve të Qeverisë, duke filluar nga unë. Dhe ajo është në rregull. Për atë, e ftojmë Antikorrupsionin që të fillojë procedurën për kontrollin e pronës së gjykatësve dhe prokurorëve, menjëherë. Komisioni ka mundësi të tillë dhe e inkurajojmë që ta zbatojë menjëherë. Pushteti ekzekutiv do t’i vendos në disponim të gjitha kapacitetet e saja për kontroll të prejardhjes së pronave dhe parave, të prokurorëve, gjykatësve dhe familjeve të tyre”, tha Zaev.