Korporata për Produksion, Informim dhe Botim “1kliklarg”, Tiranë, në bashkëpunim me Lëvizjen Myslimane për Reforma në Bashkësinë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BFI e RMV-së), së shpejti do të publikojnë veprën më të re dokumentare me titullin “KRIZË MORALE NË BFI – NGA SKANDALI NË SKANDAL”
Botimi më i ri i titulluar “KRIZË MORALE NË BFI – NGA SKANDALI NË SKANDAL” përfaqëson botimin e gjashtë me radhë në serinë e veprave që dëshmojnë për një periudhë intensive degradimi institucional, moral dhe teologjik në BFI, që sipas autorëve, fillon me instalimin politik të Shaqir Fetait në krye të këtij institucioni fetar.
Botimi është një përmbledhje voluminoze që përfshin mbi 100 shkrime, analiza, opinione dhe komente, të cilat janë publikuar gjatë periudhës maj 2024 –maj 2025 në mediat dhe portalet shqiptare. Të gjitha këto kontribute bashkërisht formojnë një mozaik kritik dhe dokumentar, që jo vetëm reflekton krizën aktuale, por edhe shpërfaq mekanizmat e thellë të deformimit të një institucioni që dikur përfaqësonte një nga shtyllat më të qëndrueshme të identitetit islam dhe kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Libri nxjerr në pah një realitet të zymtë institucional, të karakterizuar nga keqpërdorime të pasurisë vakëfore, politizim i skajshëm i fesë, përçarje të qëllimshme në radhët e teologëve, manipulime mediatike, retorikë boshe dhe një mungesë totale të vizionit fetar dhe kombëtar. Autorët i qasen fenomenit Shaqir Fetai jo vetëm si individ, por si simbol i një projekti më të gjerë antishqiptar dhe antiislam, që, sipas tyre, është ushqyer nga qarqe të caktuara rajonale dhe ndërkombëtare.
Në libër trajtohen një mori çështjesh që i referohen drejtpërdrejt situatës aktuale në BFI. Ndër to dallohen titujt domethënës si:
“Cinizmi si religjion i Shaqir Fetait”,
“Shaqir Fetai – nëna e skandaleve”,
“Proceset gjyqësore si përpjekje për të fshehur dështimet”,
“Skandalet që ia trashin qafën Shaqir Fetait”,
“Nëpërkëmbja e dinjitetit kombëtar shton lumturinë e Shaqir Fetait”,
“Doracak për dekodifikim të gënjeshtrave të Shaqir Fetait”,
“Tradhtia si karrierë: Rasti i Shaqir Fetait”, etj. etj.
Të gjitha këto janë pjesë e një trupi kritik, i cili jo vetëm ekspozon dështimet dhe devijimet, por edhe thërret për reformim të thellë institucional dhe rikthim të integritetit fetar.
Botimi vjen në një kohë kur zërat për shkëputje të fesë nga instrumentalizimi politik dhe për çlirimin e BFI-së nga ndikimet e jashtme dhe të brendshme destruktive po shtohen. Në këtë kontekst, libri nuk është vetëm një akt akuze ndaj një individi, por paraqitet si dokument autentik historik, që i ofron opinionit publik, studiuesve të fesë dhe analistëve të zhvillimeve politike një material të pasur për reflektim, kritikë dhe veprim.
“KRIZË MORALE NË BFI – NGA SKANDALI NË SKANDAL” do të shërbejë si manual dokumentar, ku çdo shkrim është një dëshmi dhe thirrje për transparencë, drejtësi dhe përgjegjësi. Ai njëkohësisht paraqet edhe akt reflektimi kolektiv, mbi një periudhë të dhimbshme dhe tragjike për një institucion që dikur kishte peshë dhe reputacion, por që sot, sipas autorëve, është shndërruar në një mekanizëm të propagandës, përfitimeve personale dhe frikës së heshtur.
Opinioni i gjërë do të ketë rastin që botimin elektronik në fjalë ta kenë në format PDF dhe ta zbresin nëpër pajisjet e tyre elektronike dhe ta lexojnë në çdo moment e në çdo kohë.