Prokuroria e Fierit ka ekzekutuar mbrëmjen e kësaj të shtune një vendim gjykate për 7 zyrtarë doganash, përfshi ish-zv.drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre”, me pasojë zhdukjen e 4,4 mln litra naftë “virxhin” nga depozitat e kompanisë “Tea Construction & Petrol”, me administrator Adrian Xhillarin.Edhe ndaj këtij të fundit është nxjerrë urdhërarrest prej gjykatës, pasi konsiderohet si i dyshuar për “kontrabandë me mallra që paguhen me akcizë”, por prej pak muajsh shtetasi Xhillari figuron i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton të jetë larguar nga Shqipëria.Sipas hetimeve të Prokurorisë së Fierit bazuar mbi materialet e referuara nga DPD, rezulton se kompania e administruar prej Xhillarit kishte marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftë “virxhin” në pronësi të kompanisë së tij nga depot në Mëzes të Tiranës drejt depove pranë rafinerisë së përpunimit të naftës, në Ballsh. Kjo sasi nafte e palejueshme të dilte në treg për shkak të cilësisë së dobët, rezulton të mos ketë përfunduar në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u shitur në treg. Prokuroria thotë se krahas pasojave shumë të mëdha për mjetet e qytetarëve, “zhdukja” e kësaj sasie nafte i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 2 mln eurosh, si pasojë e shmangies së pagimit të akcizës.Në vijim të hetimeve është konstatuar se “zhdukja” e 4,4 mln litrave naftë “virxhin” ka ardhur si pasojë e mospërmbushjes së detyrës nga zyrtarët doganorë, që kishin përgjegjësi ta regjistronin lëvizjen e këtij karburanti, si dhe ta monitoronin depozitimin e saj në depot përkatëse.Për këtë arsye, Gjykata e Fierit, pas kërkesës së Prokurorisë, caktoi masat e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit: Lula Njebza, ish-zv.drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave; Mirarbër Teneqexhiu, ish-kryetar i Doganës së Tiranës; Alfred Bushi, ish-shef i Akcizës; Adrian Alikaj dhe Syrja Misiraj, të dy doganierë akcize. Ndërkohë, masa e sigurisë “arrest shtëpiak” është dhënë për shtetaset: Ortenca Zorba dhe Elona Jareci, të dyja doganiere akcize.Ndërkohë, për administratorin e kësaj kompanie, në muajin maj të këtij viti, gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, por tashmë është në kërkim ndërkombëtar.
Reuters: Arabia S. i ka paralajmëruar autoritetet gjermane për “qëndrimet ekstremiste” të sulmuesit
Një burim saudit i ka thënë Reuters-it se Arabia Saudite ka paralajmëruar autoritetet gjermane për sulmuesin pasi ai ka postuar…