Arrestohet kryebashkiaku i Pustecit

Policia maqedonase ka arrestuar kryetarin e Bashkisë minoritare të Pustecit në Pogradec, Edmond Themelko.

Ngjarjen e raporton “Libertas”, e cila thotë se operacioni është kryer sot, por nuk e konfirmon lajmin nga burimet zyrtare.

Themelko raportohet se akuzohet për manipulim zgjedhor. Lajmi për këtë doli pas publikimit të rezultateve të operacionit “Titanik”, ku zyrtarë të lartë, akuzohen për manipulime të procesit zgjedhor, rryshfet në këmbim të votës dhe shkelje të së drejtës për të votuar.

Rasti i parë për të cilin Prokuroria Speciale Publike (PSP) hapi hetimet është “Titanik”, që ka të bëjë me veprat lidhur me zgjedhjet, njoftoi sot prokuroja speciale Katica Janeva.

Prokuroja Fatime Fetai në konferencën për mediat theksoi se është hapur procedim penal për shkeljen e të drejtës zgjedhore, rryshfet gjatë zgjedhjeve, shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe keqpërdorimin e mjeteve për fushatën zgjedhore në vitin 2012.

Gjatë konferencës u tha se ministrat e Punëve të Brendshme, të Transportit dhe Lidhjeve, dhe sekretari i qeverisë së atëhershme, si dhe persona të tjerë, e kanë shfrytëzuar ndikimin në shkallë lokale dhe shtetërore dhe kanë krijuar grup për kryerjen e veprës penale, që të mundësojnë fitore të një partie të caktuar politike në zgjedhje.

“Prokuroria speciale sot parashtroi kërkesë për arrestimin e tetë personave, por nuk saktësohet se për cilët bëhet fjalë. Një person tashmë është arrestuar dhe është nxjerrë para gjykatës”, shkruan “MIA”.

Leave a Reply