Mbikëqyrësi suedez i armëve nënvizon trendin shqetësues midis shteteve në kohën e tensioneve të rritura
Arsenali bërthamor global pritet të rritet në vitet e ardhshme për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, në një kohë kur rreziku i përdorimit të armëve të tilla është më i madhi në dekada.
Lajmin e ka bërë të ditur një organizatë udhëheqëse me bazë në Suedi që shqyrton konfliktet në të gjithë botën. Agresioni rus në Ukrainë dhe mbështetja perëndimore për Kievin kanë rritur tensionet midis nëntë shteteve të botës që zotërojnë armë bërthamore.
Vendet që shtuan stoqet e tyre të armëve bërthamore përfshinin Mbretërinë e Bashkuar, e cila në vitin 2021 njoftoi vendimin e saj për të rritur tavanin e stokut total. Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm ka bërë të ditur se numri i armëve bërthamore ra paksa midis Janarit 2021 dhe Janarit 2022.
Ekspertët kanë deklaruar se nëse nuk ndërmerren veprime të menjëhershme nga fuqitë bërthamore, inventarët globalë mund të fillojnë së shpejti të rriten për herë të parë në dekada.
Rritja vjen pavarësisht një deklarate nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 2021 – SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca të cilët njëzëri u shprehën se “lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet kurrë”. Të gjithë anëtarët vazhdojnë të zgjerojnë ose modernizojnë arsenalet e tyre bërthamore.
Mbretëria e Bashkuar aktualisht ka rreth 195 armë bërthamore, nga të cilat 120 janë operacionale, sipas një vlerësimi nga studiuesit në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë. Në fillim të vitit 2021, Franca nisi zyrtarisht një program për të zhvilluar një nëndetëse raketore balistike të gjeneratës së tretë me fuqi bërthamore ndërsa India dhe Pakistani duket se po zgjerojnë arsenalet e tyre bërthamore dhe të dy vendet prezantuan dhe vazhduan të zhvillojnë lloje të reja të sistemit të shpërndarjes bërthamore në vitin 2021.
Izraeli, i cili nuk e pranon publikisht posedimin e armëve bërthamore, besohet gjithashtu se po modernizon arsenalin e tij bërthamor. Konflikti i vazhdueshëm midis Indisë dhe Pakistanit, armiqësitë në rritje në kufirin Kinë-Indi dhe përpjekjet e vazhdueshme bërthamore të Koresë së Veriut gjithashtu luajnë një rol.