Midis nesh
Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Teatri Shqiptar i Shkupit, Teatri Kombëtar i Kosovës si dhe Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, këto ditë paskan nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi. Dhe, sipas asaj që publikuan disa media, ky bashkëpunim ndër-teatror konsiston në themelimin dhe në bashkë-organizimin e Institucionit gjithëkombëtar që do të quhet “Festivali i Teatrit Shqiptar – MOISIU”. Ide shumë e qëlluar, shumë kombëtare dhe që duhet të shtyhet me vetëmohim, sepse do të jetë, pa dyshim, një ndër modelet e parë të një bashkimi të mundshëm kombëtar! Nënshkruesit e kësaj marrëveshje do të kenë shansin të ngelin në histori si krijues e themelues të parë të një institucioni të përbashkët kombëtar!
Por, ekziston një problem, i cili, nëse nuk tejkalohet, iniciativën kombëtare do ta shpërfytyronte vetëm në një dëshirë entuziastësh, të cilët u nisën në pazar me hesapin e shtëpisë!
Çka duhet bërë që kjo iniciativë e shëndoshë të marrë udhën e vet të mbarë?
Festivalet janë goxha të kushtueshme, si në organizim ashtu edhe në punë dhe angazhime vjetore. Festivalet duhet të kenë buxhet po aq sa kanë Institucionet e tilla nacionale! Drejtoria apo sekretaria e Festivalit, bordi organizativ e ai artistik, përfshirja e të gjithë teatrove shqiptare në rajon në këtë Festival si dhe shpenzimet e paparashikuara – kërkojnë një buxhet serioz, në të cilën duhet të participojnë njëjtë themeluesit e këtij Festivali! Po këta teatro nacionale që janë marrë vesh për ta themelua këtë Institucion, a kanë buxhet vetanak për ta organizuar e mbajtur Festivalin e Teatrit Shqiptar – MOISIU? Nëse nuk ia dalin, a mos po synohet të formohet një “kullë prej letre”, prej nga do të shigjetohen qeveritë apo edhe partitë në pushtet që nuk kanë gatishmëri për ta përkrahur një projekt kulturor kombëtar!
Bartësit e kësaj ideje kombëtare duhet që sa më parë të komunikojnë me drejtuesit e pushteteve respektive, me kryeministrat e me ministrat e kulturës të Shqipërisë e të Kosovës dhe, gjithsesi edhe me liderët e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut që përpiqen të vazhdojnë apo edhe të vijnë në pushtet. Iniciativa duhet të sigurojë “bekimin” dhe përkrahjen e të gjithëve, sepse vetëm kështu eliminohen etiketimet “festivali partiak”! Veç kësaj, teatrot respektive do të mund të siguronin edhe garanca nga ministrat apo subjektet shqiptare në pushtet se, ministritë përkatëse do të parashohin përkrahje financiare të konsiderueshme në buxhetin e programit vjetor nacional! Iniciativa në fjalë nuk guxon t’i ngelë stihisë, por gjithsesi që duhet të përfshihet në strategjitë nacionale për kulturë të shteteve institucionet teatrore të të cilëve nënshkruajnë marrëveshjen për një festival të përbashkët!
Ideja kombëtare që synon rrugëtim të përjetshëm do të duhej të kalonte nëpër të gjitha këto instanca qeveritare e partiak! Nuk guxon vetëm të hidhet në letër, të nënshkruhet prej artistëve të respektueshëm e pastaj të dëgjojmë se si “vajtojnë” për mos hasjen në mirëkuptim dhe në përkrahje financiare nga ministritë e kulturës. Askush nuk ka të drejt që të provokojë, aq më pak artistët, të cilët kanë lindur me mision për t’i iniciuar dhe zbatuar projektet me karakter kombëtar. Institucioni bastard në kulturë flet për mos-seriozitetin e skajshëm të një populli.
Po, ekzistojnë mundësitë alternative për një jetëgjatësi të një institucioni kulturor nëse dëshiron të mbetet sa më larg politikës! Kjo mundësi është – sa më shumë donatorë nga kompanitë dhe firmat kombëtare! Megjithatë, përvojat e derisotshme flasin se donatorët tanë më shumë janë të predispozuar të donojnë në argëtim se sa në kulturë.
Fare në fund, çdo festival që ka edhe përkrahjen e ministrisë për kulturë, trajtohet ndryshe nga ato festivale që nuk kanë “garanci” institucionale! Është mirë dhe shumë e shëndetshme për Teatrin Shqiptar sikur ministritë tona, por edhe sponsorët e ndryshëm kombëtar këtij FESIVALI t’i kërkojnë dhe përkrahjen financiare t’ia kushtëzojnë me repertor ekskluzivisht kombëtar: Festivali t’i dedikohet regjisë, dramaturgjisë, aktrimit, skenografisë, kostumografisë, muzikës shqiptare! Ndryshe, që në fillim le ta regjistrojnë si “Festivali i Teatrit – Moisiu”! /HEJZA/