BE e zemëruar me Britaninë, Schulz: “Nëse britanikët duan të largohen, le të largohen”

Liderët europianë janë aq të zemëruar me kërkesat e Britanisë sa që privatësisht thonë: “Nëse britanikët duan të largohen, le të largohen”, tha Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz.

Ai i bëri këto komente gjatë një fjalimi në Shkollën e Ekonomisë në Londër. Schulz, që ka qenë President i Parlamentit Europian që prej vitit 2012, tregoi arsyet se pse ai dëshiron që Britania të qëndrojë në BE, duke pranuar se “ajo shpesh teston durimin tonë.”

Schulz gjithashtu tha se deputetët e Parlamentit mund të ndryshojnë disa nga reformat e David Cameron pas referendumit, duke shtuar për SkyNews se “asgjë nuk është e pakthyeshme”, në kundërshtim të dukshëm me kërkesat e kryeministrit britanik sipas të cilit këto reforma duhet të jenë të detyrueshme.

Presidenti i Parlamentit Europian tha: “Europa ka nevojë për Britaninë e Madhe me përvojën që ka në politikat e jashtme, dhe shpresoj që këto kriza të zgjidhen sa më shpejt”

“Kjo është arsyeja pse personalisht unë jam një mbështetës i fortë i Britanisë së Madhe që ajo të mbetet në BE. Kur Britania e Madhe thotë se dëshiron që BE të jetë  më demokratike, më transparente, më konkurrues dhe më pak burokratike – Unë jam dakord me të.”

Leave a Reply