E para paketë masash për shkeljen e të drejtave të njeriut
Bashkimi Europian ka gati paketën e re të sanksioneve kundër Moskës, këtë herë për burgosjen e Aleksei Navalnit, liderit të opozitës anti-Putin.
Paketa e re që përfshin ngrirje asetesh dhe ndalim të udhëtimit për në vendet e unionit për personat përgjegjës për burgosjen e Navalnit, që në perëndim konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut.
Kjo është hera e parë që përgatiten sanksione ndaj një vendi për shkelje të të drejtave të njeriut. Për paketën ranë dakord ministrat për Europën dhe punët e jashtme të BE-së në një takim informal, ndërsa masat pritet të miratohen në samitin e Këshillit Europian në fund të Marsit.
Përfaqësuesi i lartë i BE për politikën e jashtme Josep Borrej tha se sanksionet synojnë t’i tërheqin vëmendje Moskës që po zhytet gjithnjë e më shumë drejt një regjimi autoritar, duke iu larguar Europës.
Për palën ruse, vendimi është zhgënjyes ndërsa ministria e jashtme në Rusi ka paralajmëruar se me Bashkimin Europian mund edhe të ndërpriten marrëdhëniet nëse vendosen sanksione të tjera, veç atyre të vendosura deri më sot.