Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi thotë se nuk është i vetmi person që kërkon të bëhen zgjedhjet për kryetar partie. Në një intervistë të dhënë mbrëmjen e sotme në News 24, Blushi këmbëngul që të bëhen zgjedhjet dhe se në këtë garë që ai do të zhvilloje, nuk është i vetëm.
“Nuk ndihem aspak vetëm. Se sa vetëm jam apo jo, këtë po kërkoj, të matet me votë. Dhe unë kërkoj që të votohem, për të parë se sa jam vetëm, jam me shumë shokë, kam mbështetës apo jo. Në politikë nuk është futboll, nuk matet me numër tifozësh, në politikë fuqia dhe mbështetja matet me vota. Betejat e mija janë beteja idesh. Treçereku i qeverisë kanë dalë kundër meje për të thënë, jo nuk do ketë zgjedhje për arsye të paqarta. Dje kam shkuar në grupin parlamentar, me një dokument prej 10 faqesh, që provon se çfarë shkeljesh i janë bërë statutit të partisë, Republikës së Shqipërisë. Të drejtat e mia si anëtar i PS mbrohen nga ky statut. Ligji për partitë politike e pengon këtë që po ndodh në PS, sepse shprehet në mënyrë eksplicite, se partitë janë komfort ligjit kur janë të organizuara nga poshtë lart, kur zhvillohen zgjedhje periodike dhe nuk cenohen të drejtat e anëtarëve të tyre. Në PS nuk ka zgjedhje, ka vetëm emërim”, tha Blushi.
9 shkurt 2016 (gazeta-Shqip.com)