Arrestohet në Kolumbi njëri prej bosëve më të rëndësishëm të dogës. Dario Antonio Usuga, i konsideruar si Eskobari i dytë ra në pranga gjatë një operacioni të ushtrisë dhe policisë kolumbiane në Nekokli, një qytezë pranë kufirit verior me Panamanë.
I njohur ndryshe si “Otonieli”, ai është drejtues i kartelit të dhunshëm “Klan del Golfo”, eksportuesi kryesor i kokainës kolumbiane drejt Shteteve të Bashkuara dhe Europës. Sipas mediave, 50-vjeçari kishte krijuar një aleancë të gjerë me grupe të ndryshme trafikantësh nëpër botës, mes të cilëve edhe ata të vendeve ballkanike.
Në operacionin për arrestimin e tij, autoritetet kolumbiane morën ndihmë edhe nga shërbimet amerikane të zbulimit. Ndaj tij, ka një urdhërarresti ndërkombëtar edhe nga Shtetet e Bashkuara që kishin vendosur një shpërblim prej 5 milionë eurosh për kokën e tij, krahas 800 mijë dollarëshit që ofronte qeveria kolumbiane. Ai pritet të ekstradohet drejt Shteteve të Bashkuara, teksa në operacionin për kapjen e tij u angazhuan 500 ushtarë, policë e agjentë të shërbimeve sekrete, të ndihmuar nga 22 helikopterë.
Ndaj tij janë të hapura prej viteve ’90, 120 procese në vende të ndryshme, kryesisht në Kolumbi, me akuza, për vrasje, rrëmbime e përdhunime.