Shqiptarët nuk mund dhe nuk kanë të drejtë të ankohen sa i përket botimit të librit, sepse këtë ua demanton realiteti në çdo çast, sepse botohen libra të ndryshëm dhe me bollëk. Mirëpo, nëse kemi konstatuar se botimet i kemi me bollëk, atëherë përse herë pas herë dëgjohen zëra për krizë leximi. Duket qartë se në këtë raport (shumë botime – krizë leximi) diçka nuk është në rregull. Shtrohet pyetja: përse shtohet intensiteti i botimit, kur kemi rënie, për të mos thënë krizë, të leximit. Kjo i bie se i vetmi lexues i librit është vet autori dhe askush tjetër. Pra autorët tanë vetë-lexohen.
Padyshim se kjo është pasojë e mungesës së kritikës konstruktive (ata që shiten si kritikë, shkruajnë vetëm sipas preferencave subjektive, gjithnjë me nota pozitive, edhe për veprat që s’janë as për pleh), e mungesës së trajtimit serioz të këtyre problemeve nga ana e mediumeve, por edhe mungesës së një kontrolli institucional. Ndaj, këto mungesa kanë bërë që 90 për qind e këtyre botimeve të jeni gjithçka tjetër, por jo edhe produkt që do të mund të quhet LIBËR.
Në fakt, duam apo s’duam ta pranojmë në fushën e botimeve ka kohë që mbretëron një anarki e vërtetë, e cila vazhdon të ushqehet në mënyrë brutale përmes intrigave dhe abuzimeve të shumta. Ky brutalitet vjen edhe më shumë në shprehje për faktin se botimin e titujve pa vlerë e përcjell një indiferencë e çuditshme, por edhe një heshtje e plotë e atyre që janë përgjegjës dhe të cilët duhet ta ngrenë zërin, mbase për këtë çështje marrin paga të majme. Dhe pikërisht këta të fundit janë ata që legjitimojnë këtë katrahurë. Natyrisht, si për shumë çka tjetër që është me rëndësi të veçantë për shoqërinë shqiptare, edhe për këtë të keqe mungon debati serioz. Janë disa të ashtuquajtur “specialistë” të çështjeve letrare, të cilët përgjigjet për këto probleme i kanë në xhepa dhe mundohen të lahen, duke thënë se “kjo gjendje është normale dhe se me kohë situata do të ndryshojë”. Por, nuk dinë të tregojnë se cila është ajo kohë.
Botimi është bërë më shumë modë se sa nevojë shpirtërore. Natyrisht, nuk duhet pritur që dikush të skuqet nga kjo zallahi që i bëhet librit shqip, sepse akoma vazhdon të trajtohet si çështje e dorës së dhjetë. Kjo fatkeqësi ka bërë që të prodhojë të tjera absurde, të cilat gjejnë vend të volitshëm në mentalitetin provincial, të cilin mentalitet e kultivojmë me një pasion të çuditshëm. Bëhet fjalë për numrin e madh të “festivaleve e takimeve poetike”, në të cilat lexohen fjalë të hedhura në letër (e letra duron gjithçka). Kurrë nuk pati përpjekje të tejkalohen klanet e ndryshme “letrare”, por edhe të lihet anash mentaliteti provinciale. Mos të flasim për promovimet tragjike-komike, që janë bërë dukuri të përditshme, në të cilat shkohet vetëm për të ngrënë kikirikë. Pra, “interesimi” për librin përfundon te kikirikët. Dhe këtu mbyllet gjithçka. Prandaj, që të shpëtohet libri shqip nga abuzuesit e shumtë, së pari duhet ndarë shapi nga sheqeri dhe duhet mbyllur shtegun atyre elementeve që në parim janë e keqja e shoqërisë shqiptare. /HEJZA/
Po debati për kulturën!
Midis nesh Pluralizimi politik tregoi se një nga preferencat më tërheqëse në shoqërinë shqiptare është politika, e cila nuk u…