Champions League/ Manchester City në finale për herë të parë në histori

Asnjë surprizë në gjysmëfinalen e kthimit të Champions League mes Manchecter City-t dhe PSG-së. Skuadra angleze, e drejtuar nga Pep Guardiola, për herë të parë në histori arrin në finalen e kompeticionit më të rëndësishëm për klube. Citizens, që kishin triumfuar 1-2 në Paris, fituan edhe takimin e kthimit në “Etihad” me rezultatin 2-0, pa e vënë më diskutim kualifikimin.

Një vit më parë, po në kohë pandemia, Neymar dhe Mbappe u thyen në finale ndaj Bayernit, në këtë edicion zhgënjimi erdhi pak më herët.

Heroi i Manchester City-t në këtë ndeshje të dytë rezultoi Mahrez, që realizoi të dy golat e sfidës. Algjeriani e shënoi golin e parë që në minutën e 11-të, ndërsa të dytin në të 63-tën, pak para se Di Maria të ndëshkohej me karton të kuq, duke venitur plotësisht shpresat e PSG-së për një përmbysje të madhe.

Në sezonin e pestë në krye të Manchester City-t, Pep Guardiola është më pranë se kurrë trofeut për të cilin paguhet me shuma marramendëse nga sheikët e Citizens, teksa praktikisht ka fituar edhe titullin e Premier League-s, duke zbritur nga froni Liverpoolin.

Leave a Reply