Më shumë se 100 zjarre po vazhdojnë të jenë aktive në pjesën lindore të Australisë dhe një pjesë e tyre kanë dalë nga kontrolli i zjarrfikësve. Megjithatë, autoritetet kanë arritur ta mbajnë numrin e viktimave në tre, pavarësisht paralajmërimeve për një ditë katastrofale.
Së paku 170 shtëpi janë djegur plotësisht, por të martën nuk është raportuar për viktima, siç kishin parashikuar komandantët e zjarrfikësve, të cilët kishin deklaruar se kjo javë do të jetë më e rënda në historinë e vendit sa i përket përballjes me zjarret në natyrë.
Tre persona kanë vdekur deri më tash për shkak të zjarreve që u përhapën fundjavën e kaluar. Dy prej tyre besohet se kanë vdekur përderisa po mundoheshin të iknin nga zjarret përmes veturave.
Autoritetet kanë marrë një vendim të rrallë për angazhimin e ushtrisë në luftën kundër zjarreve, përfshirë edhe trupat rezervë. Zjarret i kanë djegur më shumë se 500 mijë hektarë tokë deri më tash.
Të martën, qindra shkolla ishin të mbyllura dhe popullsia e tërësishme e disa qytezave ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Gjendja e zjarreve është përkeqësuar për shkak të kushteve klimatike, përfshirë temperaturat e larta dhe erërat e forta.
Rajoni Neë South Wales vazhdon të jetë në gjendje emergjente pasi po përballet me 70 zjarre, 40 prej të cilave kanë dalë nga kontrolli, shkruan “The Guardian”.