Procesit të dekriminalizimit duket se i është hapur “drita jeshile” për të vijuar shpejt dhe me konsensus. Të paktën të tilla duken gjasat, nga mbledhja e konferencës së kryetarëve, pas së cilës ishte LSI-ja, që njoftoi e para se janë marrë parasysh kushtet dhe propozimet e saj për këtë proces: ai të vijojë shpejt dhe me konsensus në komisionin e posaçëm parlamentar.
“Të gjitha nismat që lidhen me procesin do të jenë tashmë në shqyrtimin e komisionit të posaçëm dhe njëkohësisht, në ato pak momente ku do të konstatohet një mosdakordësi, që është e natyrshme, do t’i referohemi Komisionit të Venecias si vlerësuesi përfundimtar, vendimi i të cilit për nenet ku nuk do të biem dakord do të jetë detyrues për secilën palë”, tha Petrit Vasili.
Duket se në këtë qëndrim ka mbërritur edhe Taulant Balla, nga Partia Socialiste, pas artikulimit po prej tij një javë më parë se, komisionit të posaçëm i kishte mbaruar misioni dhe se procesi i hartimit të draftit ligjor duhej të vijonte në Parlament.
“Duam që këtë proces ta bëjmë bashkë dhe në mënyrë të menjëhershme. Heqim dorë nga disa propozime, që nuk kanë fare lidhje me këtë proces, por janë thjesht arnime alla-shqiptarçe të një modeli, që është më i miri sot në Europë, modeli i ligjit Severino”, u shpreh Taulant Balla.
Balla nuk përmendi për asnjë moment mundësinë për ta miratuar draftin e dekriminalizimit edhe të vetëm, nëse opozita nuk bie dakord.
Pas dakordësisë se drafti final për dekriminalizimin do të bëhet në komisionin e posaçëm, edhe për ndryshimet kushtetuese duket se nuk ka dallime thelbësore në vlerësimin e palëve. Pavarësisht se cili do të jetë mekanizmi, sesi do të ndërhyhet në Kushtetutë, palët duket se kanë emërues të përbashkët dakordësinë se, paketa ligjore përfundimtare do të kalojë nga komisioni i posaçëm.
Palët gjithashtu vlerësojnë se, edhe vetë dy draftet nuk kanë shumë diferenca mes tyre, por secila prej tyre ka pika, që për momentin duket se nuk heqin dorë. Forca më e madhe në pushtet këmbëngul se është përfshirja edhe e disa veprave penale, si penguese të mbajtjes së posteve publike.
Socialistët ndërkaq përjashtojnë në mënyrë kategorike testin e drogës, ndërsa i japin përgjigje kërkesës së demokratëve për marrjen e detyrueshme të shenjave të gishtërinjve.
Për këto pika, ku ndahen Qeveria dhe PD për procesin, LSI-ja i quan ndarje mes palëve, duke dëshmuar pozicion të barazlarguar për shkak të qëndrimit, se procesi duhet të bëhet vetëm me konsensus. Për zgjidhjen që iu dha sot vijueshmërisë së procesit, Petrit Vasili megjithatë nuk fshehu kontributin e partisë që përfaqëson, për mbërritjen në këtë dakordësi mes PS dhe PD.