Demokratët do ja “ngecin në fyt” Trump gjelin e Ditës së Falënderimeve

Ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, pritet të ngrihen akuza formale në Kongres para Ditës Kombëtare të Falënderimeve apo 28 nëntorit. Demokratët shpresojnë që të hetojnë pretendimet për abuzimet e tij me pushtetin, aksion i cili tanimë mbështetet nga rreth gjysma e publikut vendës.

Demokratët në dhomën e ulët të Kongresit amerikan synojnë që të ngrenë formalisht akuza ndaj presidentit Donald Trump brenda muajit nëntor.

Mediet amerikane informojnë se ato do të jenë të përqendruara ekskluzivisht te pretendimet se kreu i Shtëpisë së Bardhë abuzoi me pushtetin kur në muajin korrik i kërkoi homologut të tij ukrainas që të hetojë rivalin e vet demokrat, Joe Biden, për arsye politike.

Për të influencuar vendimin, besohet se u ofruan edhe ndihma ushtarake për Ukrainën.

Kryetarja e Dhomës së Deputetëve, demokratja Nancy Pelosi, tha të shtunën se hetimi i presidentit Trump është një thikë me dy presa që mund t’u kushtojë demokratëve mandate politike vitin e ardhshëm.

Por sipas saj, vënia e presidentit para përgjegjësisë ka më rëndësi sesa objektivi politik.

“Detyrimi ynë fillestar është të ruajmë dhe të mbrojmë Kushtetutën e Amerikës. Njerëzit mund të thonë se kjo gjë ka rreziqe, por nuk ka rëndësi. Ne nuk mund të kemi një president të Shteteve të Bashkuara që shkel betimin, nuk është besnik apo cenon sigurinë kombëtare dhe integritetin e zgjedhjeve tona.”

Komentet e Pelosit vijnë pasi sondazhet tregojnë se 49 për qind e publikut amerikan është në favor të ngritjes së akuzave ndaj presidentit Trump.

Sipas agjencisë së lajmeve, CNN, po përflitet edhe shkarkimi i sekretarit të përgjithshëm të Shtëpisë së Bardhë, Mik Mallveini, pasi Trump nuk është i kënaqur me strategjinë që ai ka ndjekur deri tani për tejkalimin e skandalit më të fundit.

Leave a Reply