Kundërshtojnë ndihmën financiare për ushtrinë izraelite
Të paktën 300 protestues janë arrestuar gjatë tubimeve kundër luftës në Rripin e Gazës të organizuara në Nju Jork nga komuniteti hebre.
Manifestuesit hebrenj u mblodhën në sheshin kryesor të lagjes së madhe Bruklin, për të protestuar para shtëpisë së kreut të senatorëve demokratë Çak Shumer, menjëherë pasi senati i dha aprovimin përfundimtar, ndihmës ushtarake 26 miliardë Dollarëshe për Izraelin. Ndihma financiare amerikane është jetike për operacionet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.
Protestat e komunitetit hebre i shtohen tubimeve të studentëve pro-palestinezë, që protestojnë prej fundjavës në Nju Jork dhe Konektikat, duke bllokuar leksionet.
Ndërkaq, agjencia e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut kërkoi hetime të menjëhershme mbi akuzat e ngritura nga autoritetet palestineze të Rripit të Gazës për gjetjen e 283 trupave në disa varre masive pranë spitalit Nasser të Kan Junusit, që dyshohet se janë vrarë nga ushtria izraelite gjatë ofensivës kundër Hamasit në këtë qytet.