“Turqia do të kërkojë hakmarrje ndajt kujdo që mund të ketë orkestruar sulmin që tronditi kryeqytetin e vendit.” Kështu është shprehur Presidenti Taip Erdogan duke dënuar ashpër shpërthimin e ndodhur pranë zonës së Parlamentit dhe zyrave qëndrore të Ushtrisë.
Erdogan tha se Turqia është e vendosur që të luftojë çdo akt terrorist që cënon unitetin, sigurinë dhe të ardhmen e shtetit.
Në bazë të hetimeve paraprake raportohet se ka qenë një automjet i mbushur me eksploziv që ka shpërthyer në momentin kur një autokolonë ushtarake po kalonte në rrugën afër selisë së parlamentit.
Zëvendëskryeministri Bekir Bozdag e quajti “akt terrorist ngjarjen, kurse kryeminsirti Ahmet Davutoglu anuloi një udhetim të planifikuar për në Bruksel.
Autoritetet kanë nisur një hetim zyrtar për të zbuluar autorët si dhe rrethanat e këtij shpërthimi.
Mbi ngjarjen ka reaguar edhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati i cili dënoi aktin terrorist. Ai shprehu ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre. Nga ana tjetër ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se asnjë prej 71 studentëve shqiptarë të cilët ndjekin studime ushtarake në Turqi nuk është lënduar.