Duke ndjerë çdo ditë e më shumë afrimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Greqi dhe duke parë tensionin politik të përshkallëzohet, vetë e përditshmja konservatore Kathimerini në një artikull kryesor të saj të numrit të së dielës i bën thirrje kryeministrit grek të shpallë saktësisht ditën e zgjedhjeve.
“Vendi ka nevojë për përgjegjësi institucionale dhe stabilitet politik dhe një mënyrë për t’i shërbyer të dyja nevojave është që kryeministri të shpallë menjëherë datën e zgjedhjeve, që horizonti i muajve në vijim të jetë i qartë, siç do të ndodhte në shumicën e demokracive perëndimore”, shkruan Kathimerini.
“Ekonomia greke vazhdon të jetë më produktive se shumica e atyre evropiane, me një ritëm zhvillimi afër 6% për vitin 2022. Vendi po kryen investime rekord, të huaja dhe vendase, me një theks të fortë te inovacioni dhe ekstroversioni. Papunësia vazhdon të bjerë”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.
Ndërsa kryeministri Mitsotakis edhe në llogarinë e tij në “Facebook” thekson se Greqia ka ulur inflacionin në krahasim me dy muajt e mëparshëm dhe vendet europiane si dhe papunësinë, partitë opozitare kritikojnë ashpër politikat qeverisëse në të gjitha sektorët e vendit.
“Vendi ynë ka çmimin më të shtrenjtë të benzinës në të gjithë BE, ka çmimin më të shtrenjtë të energjisë elektrike nga çmimet e vendosura të kompanive energjetike në të gjithë BE, vendi ynë fatkeqësisht ka devijimin më të madh në çmimin e vendosur nga prodhuesi në terren nga çmimi që konsumatori gjen në raftin e supermarketit”, u shpreh Aleksis Tsipras, lideri i partisë Syriza.
Përveç kritikave për privatizimin e disa prej sektorëve publikë të vendit që ka kryer partia në fuqi si në fushën e energjisë, të arsimit dhe të shëndetësisë, debati politik po përshkallëzohet orët e fundit në lidhje me politikat bankare, pasi bankat greke tashmë tepër fitimprurëse , nuk duken të disponueshme të ndihmojnë klientët me kreditë e këqija dhe të lehtësojnë klientët për kreditë e investimeve, siç po ndodh në shtete e BE.
Sondazhet e shumta për zgjedhjet që parashikohen në pranverë, të cilat kësaj here do të kryhen me sistemin proporcional i japin gjithnjë avantazh partisë në fuqi nga 6-8%, por në një periudhë inflacioni, shtrenjtësie dhe një dimri nën hijen e krizës energjetike si pasojë e luftës në Ukrainë, askush prej analistëve nuk mund të përshkruajë peisazhin politik pas numërimit të votave.