Eurobondi, 450 mln euro; Bankat: Dalja e Shqipërisë, e suksesshme

Qeveria shqiptare ka siguruar 450 milionë euro borxh me afat pesëvjeçar nga emëtimi i Eurobondit në tregjet ndërkombëtare. Interesi mesatar me të cilën është marrë borxhi, ka rezultuar 5.75 përqind.

Njoftimi zyrtar vjen nga dy manaxherët, që udhëhoqën procesin për llogari të qeverisë, “Deutsche Bank” dhe “JP Morgan”.

Sipas deklaratës së përbashkët të dy bankave udhëheqëse transaksioni paraqet një rikthim triumfant të vendit në tregjet botërore të kapitalit, pas daljes së parë në vitin 2010, kur emëtoi një Eurobond me vlerë 300 milionë euro dhe me interes 7.5 përqind.

Kërkesa e qeverisë ishte për një hua nga 300 deri në 500 milionë euro, në varësi të kushteve që do të ofronte tregu. Sipas njoftimit, këto pritshmëri u tejkaluan pasi në ankand, investitorët kanë ofruar deri në 750 milionë euro për të kredituar Shqipërinë.

Nga këto, Ministria e Financave ka vendosur të pranojë 450 milionë euro, të cilave u korrespondon një interes mesatar 5.75 përqind.

Sipas “JP Morgan” dhe Deutsche Bank”, shuma dhe interesi me të cilin Shqipëria ka arritur të sigurojë borxhin, reflektojnë vlerësimin pozitiv që investitorët e huaj kanë mbi perspektivën e ekonomisë shqiptare dhe programit të reformave.
Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga dy bankat udhëheqëse, 76 përqind e borxhit prej 450 milionë euro është ofruar nga investitorë europianë, ndërsa pjesa tjetër nga parajsat fiskale të Shteteve të Bashkuara.

Shuma e borxhit, që qeveria ka marrë përmes Eurobondit është brenda kufirit të autorizuar nga Kuvendi në buxhetin e shtetit. Këto para, përveç financimit të një pjese të deficitit do të përdoren edhe për të zëvendësuar borxhin ekzistues, i marrë me interesa më të larta, ose afate më të shkurtra, duke i lejuar vendit të përmirësojë portofolin e borxhit publik, i cili gjithsesi mbetet në nivele të larta rreth 73 përqind e prodhimit kombëtar.

Leave a Reply