Incidenti i Fernando Alonsos mund të krijojë një krisje në marrëdhëniet mes dy herë kampionit të botës dhe skuderisë së re të tij, McLaren-Honda. Një krizë që duket se do të nisë që përpara se të nisë Botërori i ri i Formula 1.
Pikërisht këtë parashikojnë në Spanjë, ku e përditshmja sportive “El Mundo” ka publikuar një artikull me titull ‘Alonso kërkon të dijë të vërtetën’. Sipas shkrimit, piloti spanjoll nuk kujton asgjë nga përplasja e së dielës së kaluar në testimet e Montmelosë, pas të cilit u gjend i shtruar në spital, ku qëndroi për 3 ditë. Ndaj i ka kërkuar shpjegime skuadrës së tij, duke dyshuar se shkak i incidentit mund të ketë qenë një avari mekanike, që shkaktoi daljen nga kthesa 3. Shenjë kjo e një raporti besimi ndaj skuadrës që duket se po pëson çarje.
Edhe pse nuk raportohen deklarata zyrtare të Alonsos, është e qartë se historia nuk ka dalë nga hiçi, por bazohet në informacione konfidenciale. Nëse arsyetohet qetësisht, duket se incidenti i tij ka qenë një “përgjigje” e asaj që ka thënë Ron Dennis në konferencën për shtyp të së enjtes. Në thelb, kreu i McLarenit hodhi poshtë hipotezën e një gabimi mekanik, apo të një shkëndije elektrike të lidhur me ndonjë keqfunksionim të qarqeve në njëvendëshen e Alonsos, ndërkohë që motivonte mungesën e sqarimeve përmes një raporti zyrtar mjekësor, ku shprehej dëshira e familjes së kampionit të Formula 1 për ruajtjen e privatësisë.
Ndërkohë, McLaren pritet të fluturojë drejt Australisë pa qartësi në lidhje me besueshmërinë e njësisë motorike të Hondas, që është miratuar nga rregullorja e FIA vetëm këtë të diel me konfigurimin përfundimtar të saj. Magnussen, nga ana tjetër, është dashur të ndalet pas 39 xhirosh, për humbjen e karburantit nga sistemi hidraulik. / Top Channel