Fjalimi i parë i Mbretit Zog

DALSHIM FAQEBARDHË PARA HISTORISË

Sot po ju drejtohem si shok, bashkëpunëtor të idealit të përbashkët. Nëse në fjalimin tim nuk do të gjeni fjalët e nalta të krenave të ndershëm të stolisur me Kunorë, të mos çuditeni. Se unë shoh në Kryesinë e Shtetit Shqiptar, në cilindo titull qoftë, shembëlltyrën besnike të popullit dhe shërbyesin e palodhur të Atdheut. Sot, në minutën kur ngarkohem me detyrën e rëndë dhe të naltë të shtetit, prej vullnetit e dëshirës së popullit të shfaqur me vendimin e ndërgjegjes Suej, do të veproj duke marrë parasysh përgjegjësinë morale, të cilën herët a vonë di ta çmojë populli shqiptar, për lartësimin e vendit….. Bota e ka marrë vesh se po të lihen të qetë edhe bijtë e Shqipërisë, mund të krijojnë një shtet. Mbas sotit detyrën e kemi më të rëndë, se duhet t’ i tregojmë botës se edhe shqiptari, si çdo popull i qytetëruar, mund ta marrë kulturën, e cila është pasuria e të gjithëve dhe ideali i botës mbarë. Vetëm në këtë mënyrë, duke i siguruar vendit tonë një të ardhme të lirë, mund të paguajmë një detyrë historike. Në regjimin e ri Shqipëria ka për të qenë një faktor paqësor në Ballkan. Relacionet që ekzistojnë sot me shtetet fqinje e dashamirëse, shpresojmë se do t’i forcojmë edhe më tepër. Unë, bashkë me ju shokë të mi, jo vetëm që do të mbrojmë të drejtat kombëtare, por edhe kur të jetë nevoja, me ju bashkë do ta shtyjmë popullin trim shqiptar për t’ia arritur qëllimit të lartë, atë ideal që na ka falur natyra e na i ka shënuar historia, duke lartësuar vendin në sheshin e qytetëruar. Si të mbaroni detyrën e shenjtë, të ktheheni në vendet tueja e t’i thoni popullit Sovran se Prijsi i tij e sheh veten si çdo shqiptar. Me sa shpejtësi dhe entuziazëm e keni vënë në Fronin e Gjergj Kastriotit, aq me shpejtësi e kënaqësi keni për ta gjetur gjithmonë gati për t’i sakrifikuar të gjitha, nëse është nevoja, edhe jetën mbas dëshirës të tij dhe për të mirën e vendit. Zotninj, dalshim faqebardhë para historisë!

Më 1 shtator 1928

Burimi:  H E J Z A

Leave a Reply