Pavarësisht apelit të presidentit francez Emmanuel Macron për të shmangur trazirat gjatë festës së Krishtlindjes, sindikatat në mbështetje të punëtorëve nuk kanë ndërmend të tërhiqen. Ata madje janë zotuar se do të luftojnë për të drejtat e tyre kundër planit të shefit te Elizese për çështjen e pensioneve edhe më ashpër se sa deri tani.
Në mbështetje të sindikatave dhe protestuesve janë edhe drejtuesit e linjave të trenave dhe metrove të Parisit, të cilët janë në grevë prej disa ditësh, duke paralizuar lëvizjen e qytetarëve që duan t’i kalojnë festat pranë familjeve të tyre në të gjithë Francën. 40% e linjave të trenave ndërkohë kanë pezulluar shërbimin.
Në “Gare de Lyon” të Parisit, protestuesit që përpiqeshin të bllokonin hyrjen në stacion u përplasën me policinë. Plani i Macron për reformimin e pensioneve synon t’i japë fund një sistemi që lejon daljen në pension edhe në moshën 50 vjeçare për disa profesione te caktuara. Projekt-ligji, i cili do të paraqitet në këshillin e ministrave më 22 janar synon rritjen e moshës ne 64 vjeç.
Një gjë e tillë ka shkaktuar një zemërim të madh në qindra mijëra qytetarëve në Francë. Për pasojë, sektori I transportit dhe industri të tjera, përfshirë atë të përpunimit të naftës, janë përballur me një pezullim të përkohshëm. Një gjë e tillë ka shkaktuar një situatë “katastrofike” në Paris në sektorin e turizmit dhe hotelerisë duke prodhuar pasoja negative per ekonominë e vendit.