Qeveria gjermane dhe drejtuesit e 16 landeve kanë rënë dakord për të shtyrë izolimin në Gjermani deri më 14 shkurt. Si pasojë, mbeten të mbyllur restorantet, dyqanet jo të domosdoshme dhe aktivitetet e kohës së lirë.
Vetë Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kishte insistuar në shtyrjen e kufizimeve deri në mes të shkurtit dhe bërjen të detyrueshme të maskave në transportin publik dhe në dyqane.
Në një samit digjital, drejtuesit e landeve ranë dakord të shtynon kufizimet aktuale që kanë hyrë në fuqi në nëntor dhe që mbyllën restorantet, palestrat, dyqanet jo të domosdoshme e madje edhe shkollat në mes të dhjetorit. Një rregull i ri do të ndalojë njerëzit të mbajnë maska të bëra në shtëpi ose shall si mjet mbrojtës në dyqane, trena dhe autobusa dhe e bën të detyrueshme mbajtjen e maskave klinike atje. Kjo përfshin maskat kirurgjikale një përdorimëshe si edhe ato që njihen si maska FFp2 apo N95.
Variantet e para në Britaninë e Madhe dhe Afrikën e Jugut, rrezikojnë të përmbysin trendin në rënie të kohëve të fundit për sa i takon infektimeve, tha zëdhënësi i Merkel, Steffen Seibert. Ekspertët kanë sugjeruar se gjermanët nuk po i marrin seriozisht apelet për të qëndruar në shtëpi pasi të dhënat tregojnë se lëvizshmëria ka rënë me vetëm 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Numri i rasteve të konfirmuara ishte 11369 të martën ndërsa ai i viktimave 989. Ndërkohë që nën shembullin e Gjermanisë, edhe Holanda dhe Danimarka pritet të zgjasin masat aktuale. Madje, kjo e fundit, planifikon të zgjasë izolimin edhe përtej shkurtit për shkak të frikës nga varianti britanik.