Avokatët e ish-kryeministrit: Vendimi, joligjor
“Pas 5 ditësh dhe një seance, e cila zgjati rreth 40 minuta këtë të shtunë, Gjykata e Posaçme doli me vendim dhe zëvendësoi masën e sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha në “Arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore, duke i ndaluar edhe kontaktet”, raporton gazetarja Bleona Metushi.
Avokatët, të cilët i thanë gjykatës që kishin dorëzuar me postë kërkesën për përjashtimin e gjyqtares, Irena Gjoka, e konsideruan shpalljen e vendimit në kundërshtim me ligjin pasi duhej pritur deri në shqyrtimin e kërkesës së tyre.
Genc Gjokutaj, një prej mbrojtësve të ish-kryeministrit Sali Berisha, tha për mediat se do e ankimojnë vendimin.
Genc Gjokutaj: Pritej sepse kjo gjykatë ka bërë shkelje dhe më të mëdha dhe në vazhdën e tyre, ishte edhe vendimi i sotëm. Do të ndjekim rrugën e ankimit sipas ligjit, brenda afatit ligjor. Kjo është ekstra ligjore sepse asnjëherë, arresti në shtëpi nuk shoqërohet me mbikëqyrje policore.
SPAK kërkoi ashpërsimin e masës së sigurisë për Berishën me argumentin se ai nuk zbatoi vendimin që e detyronte atë të paraqitej në Policinë Gjyqësore, dhënë nga e njëjta gjykatë në Tetor të këtij viti.
Berisha dhe avokatët e tij pretendojnë se ajo masë ishte anti-kushtetuese sa kohë doli pa leje nga Kuvendi sepse ish-kryeministri gëzonte imunitetin e deputetit.
SPAK po e heton Berishën me dyshimet se është përfshirë në korrupsion në procedurën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Akuzë, e cila është mohuar nga ish-kryeministri që e konsideron hetimin ndaj tij si politik. Për të njëjtën çështje, në arrest shtëpie po qëndron edhe dhëndri i tij, Jamarabër Malltezi.