Gjysma e mësuesve në Tiranë kanë nevojë për trajnime

Nga testimi mësuesve që u bë në kryeqytet rezultoi se rreth gjysma e tyre kanë nevojë për trajnime dhe përmirësime në cilësinë e punës.

Vetëm 4 % e mësuesve u vlerësuan maksimalisht, ndërsa me më shumë probleme rezultojnë mësuesit e ciklit parashkollor. Pas Tiranës, testimi do të zhvillohet nesër në të gjithë vendin, ku do të marrin pjesë 16.572 mësues.

Testimi që u krye në Tiranë, tregoi se gjysma e stafit mësimor në kryeqytet ka mangësi në mënyrën e mësimdhënies, planifikimit dhe komunikimit dhe kanë nevojë për t’u kualifikuar dhe përmirësuar standartët e punës së tyre. Instituti i zhvillimit të arsimit në raportin përfundimtar ka sqaruar se në këtë testim ku morën pjesë 1651 mësues dhe drejtues vetëm 4 % mësuesve u vlerësuan maksimalisht në të gjithë komponentët e testit. Rezultatet më të dobëta i kanë patur mësuesit e ciklit parashkollor. Zëvendësministrja e arsimit Nora Malaj tha se testimi ditën e shtunë do të shtrihet në të gjithë vendin.

“Qëllim i këtij monitorimi nuk ka lidhje fare me problematika që shfaqen shpesh herë në lidhje me lëvizjen e mësuesve apo situata të tjera punësimi. Por kanë të bëjnë me hartën që Ministria e Arsimit dhe e Sportit po ndërton për nevojat e formimit profesional të mësuesve dhe për instrumentat matës dhe realizimin e disa nga standardeve dhe cilësive që ministria e Arsimit ka”, tha Nora Malaj, zv. Ministre e Arsimit.

Janë 16 .572 mësues dhe drejtues të cilët do të vlerësohen nga instituti ditën e shtunë. Ministria e Arsimit kërkon të identifikojë se cili është niveli aktual i stafeve pedagogjike në vend, çka lidhet ngushtë me performancën por edhe rezultatet e nxënësve shqiptarë në arsimin parauniversitar. / Top Channel

Leave a Reply