“Lufto në rrugën e Allahut! Ti je përgjegjës vetëm për veten tënde. Nxiti edhe besimtarët, se mbase Allahu e pengon fuqinë e jobesimtarëve! Allahu është më i fuqishmi dhe më i ashpri në dënime.” (En Nisa, 84)
Shkruan H. Sulejman Rexhepi
Duke i shfletuar dhe duke i sistemuar dokumentat që kanë dalë nga puna ime 24 vjeçare si Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, sakaq hasa në një dokument të qershorit të vitit 2008, të dalur pas mbledhjes së Rijasetit, kishte fjali, si qëndrime unanime se, të gjithë këta të BDI-së ishin marksistë-leninistë që cak e kanë shkatërrimin e BFI-së!
Marksistët-leninistët, nuk e pranonin fenë dhe institucionet fetare, nuk i pranonin mësimet dhe Librat e Shenja, marksistë-leninistët nuk pranonin as përkatësi kombëtare. E mbaj mend një anketë të “Zërit të Rinisë” së Shqipërisë, në kohën e Remzi Lanit (kryeredaktor), kur 90% për qind e shqiptarëve, në pyetjen se “çka jeni ju” ishin përgjigjur “komunistë”! Idelogjia marskiste-leniniste kishte arritur shqiptarin ta zhveshë nga përkatësia e vet etnike. Kishte krijuar një “komb të ri”! Një komb që nuk duhet t’i përkulet “bestitnyve dhe besimeve të kota” por “liderit ideologjik” që ishte më i fortë se “Zoti” i fetarëve që, sipas dogmave marksiste-leniniste, nuk janë asgjë tjetër përveçse llumi dhe ajka e analfabetëve dhe manipulantëve të një kombi!
Po! Përfundimisht e pranoj se i kam njohur këto qëndrime të marksistë-leninistëve, i kam të qarta synimet e tyre atëherë, i kam të qarta edhe synimet e sotshme që kanë përjetuar mutacion të tmerrshëm në raport me Institucionet fetare dhe nëpunësve fetarë, të cilët i konceptojnë në shtab partiak dhe në militantë të partisë, ndryshe shndërrohen në pikado të partisë ku ushtrohet çdo ditë “preciziteti partiak” (etiketimi, linçmi, eliminimi)!
Gjatë shfletimit dhe sistemimit të këtyre dokumentave hasa edhe në mjaft dokumenta kritikë, në shkrime ultimative, në kërkesa të kushtëzuara, në reagime mjaft ofenduese për BDI-në! Tani, unë po ta ndihmoj partinë, e ti po e dëmton BFI-në?! Ndjehem krenar që të paktën, servilizmi im partiak (gjithnjë i kushtëzuar!!!), nuk më ka nënshtruar, nuk ma ka thyer boshtin kurrizor, nuk më ka përkulur, nuk më ka shndërruar në rob të Partisë. Paska dokumente që ma rrëqethin mishin e më bëjnë të ndjehem krenar për qëndrimet e mia absolutisht në të mirë të BFI-së, në të mirë të organizimit të jetës fetare institucionale. Paskam shkresa ku qartë ua paskam bërë të ditur strukturave të caktuara të BDI-së se më tepër e ndihmojnë shtetin se BFI-në, më shumë e ndihmojnë Kishën dhe, më shumë e dëmtojnë BFI-në, kurse luftën për të ardhur në pushtet e bënë me të tjera komunikata, me të tjera apele dhe, fund e krye me ushtarë myslimanë të vendit.
Kur i shfletoj dhe i sistemoj këta dokumenta, çuditërisht më shtohet bindja dhe pajtohem me konstatimet e gjenive të kombit se, me konfliktin e kontrolluar të vitit 2001 nisi në mënyrë zyrtare nënçmimi dhe urrejtja institucionale kundër shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si dhe i të gjithë myslimanëve të tjerë, të cilët, për të pasur të drejta, duhet të mundohen që të bëhen popull “20 për qind”. Deri në këtë përqindje nuk guxojnë as të mendojnë për ndonjë të drejtë etnike! “20 përqindëshi” është vula e diskriminimit etnik shqiptar, është formë e apartheid-it të instaluar më vitin 1948 në Afrikën e Jugut. Meqë aty jetonin “të bardhët”, “të zinjtë”, “indianët” dhe populli ”me ngjyrë” (mullatët), sipas apartheid-it, të drejtë aboslute politike kishin vetëm “të bardhët”! Si në Maqedoninë e Veriut ku jeton kombi maqedonas, “20 përqindëshi”, “indianci”, “talebanci”, ndërsa pjesa dërmuese e tyre janë militantë të BDI-së (po, e votojnë edhe pjesëtarë të kombit maqedonas)! Nacionalisti i verbuar, Todor Petrov, thoshte se shqiptarë nuk ka më shume se 15 %, këtë frikë e ka BDI dhe pushteti, ndërkohë që kurrë nuk hasa në përkrahje se popullata myslimane në Maqedoninë e Veriut janë shumicë dhe, këtë komunitet në shumicë e përbëjnë shqiptarët. Nuk hasa në përkrahje sepse druanin që t’ia prishnin disponimin nacionalist Todor Petrovit, i cili ka qenë një udhërrëfyes për antishqiptarizmin në këtë nënqiell.
Hasa edhe në letra interne, në relata, që ua kam nisur funksionarëve të lartë të BDI-së përmes të cilave ju kam thënë se, unë, Sulejman Rexhepi, Reisul Ulema i BFI-së, ju ndihmoj dhe ua jap përkrahjen nëse ju i plotësoni kërkesat, kushtet tona! Kushtet, natyrisht, kanë qenë të natyrës dhe jetës fetare, (akreditimi i FSHI-së, i Medresesë, sigurimi i ndonjë leje për xhami, kthimi i Xhamisë së Shtipit, rindërtimi i Xhamisë së Prilepit kthimi i tërë vakëfit etj.)
As që më ka shkuar në mend se ky qëndrim i imi parimor në raport me pushtetin, ku ka aderuar edhe BDI-ja (ndërsa kjo ka qenë bisht në të gjitha pushtetet) një ditë do të keqpërdoret në dëm dhe në shkatërrim timin! Nuk më ka shkuar në mend se Zoran Zaev i cili që nga 2014 më luste ta afroj me Ali Ahmetit për të bashkëpunuar dhe koalicionuar, do të lodhet aq shpejtë saqë të ket nevojë të shpëtoj nga unë! E kam të freskët kujtimin e takimit të përbashkët që kisha me kryeministrin Zaev dhe me kreun e BDI-së Ali Ahmeti, takim i realizuar në prag të zgjedhjeve presidenciale, takim në të cilin mua m’u premtuan 17 pika në dobi të BFI-së, kurse unë, ua bëra me dije se në interes të integrimit të vendit tim, ardhmërisë së këtij vendi të cilit i takoj, padyshim se do të kontrubuoj. Në fund të takimit, Ali Ahmeti kërkoi nga unë t’ia shtri dorën, të njëjtën e kërkoi edhe nga Zaevi!
Mirpor, në vend të realizimit të premtimeve, m’i militarizuan partiakisht bashkëpunëtorët e mi, brenda natës i mblodhën dhe prej tyre e kërkuan shpëtimin prej meje, sepse, gjithnjë e më shumë po ua rëndoj situatën politike. Kjo rëndesë ishte ekskluzivisht nga kërkesat e mia për ta përforëcuar BFI-në përmes denacionalizimit të tërësishëm dhe për ta avancuar jetën fetare islame! E, unë i shkreti, e kisha fshirë nga mendja se, marksistë-leninistët kurrë nuk e kanë pasur raportin e mirë me fe dhe me institucione fetare.
Më tradhëtuan mua, i tradhëtuan bashkëpunëtorët e mi dhe po e shkatërrojnë BFI-në! Përzirja partiake e politike në BFI, garantimi i paprekshmërisë nga institucionet e drejtësisë dhe, përkrahja e luftës pakompromis në shkeljen e Kushtetutës si dhe të akteve të ndryshme të BFI-së, nuk është asgjë tjetër përveçse një “hyxhym” t’i dilet ballë kërkesave të “Rijasetit tim” përmes të cilit kërkoja të drejta absolute fetare në shtetin tim. Tani me po atë “Rijaset timin” po frenohen të gjitha aktivitetet fetare, po stimulohet një cirkuziadë e turpshme, shteti po lirohet nga presionet shumë nacionaliste dhe ekstremiste të Sulejman Rexhepit! Pra, i keqi paskam qenë unë dhe jo Rijaseti i këtij pushteti! Nuk ka dyshim se Allahu do ta ndëshkojë zullumqarin, Ai është i drejt, nuk bën dallim mes zullumqarëve, pra, ndëshkimin do ta marrin që të gjithë zullumqarët.
Nga përvoja ime jetësore, unë tani po shoh se si po i afrohen BFI-së do re të zeza, do tornado të tmerrshme, do shira mitike, dhe, nga kjo situatë apokaliptike e lagur dhe e rrahur do të dalë edhe BDI-ja. Struktura e saj e instaluar në këtë Institucion, e ndjenë përfundimin e vet të trishtë! Secili e përjeton atë për të cilën është angazhuar në jetën e vet: dikush si tradhëtarë, dikush si spiun, dikush si kasap, dikush si diskriminues politik, dikush si “zhongler fetar”… Ishalla – me iman!
Është krejtësisht strategji e gabueshme kjo e përshëndetjeve dhe urimeve sa për ta friksuar “të plagosurin” apo, të paktën për ta bindur se sa shumë e paskan dashur bashkëpunëtorin tim më të përgëdhelur! Kam menduar se, po, ai është prodhimi im! “Hoxhallarët” nuk më dashkan mua ndërsa po e duakan prodhimin tim? Le ta gëzojnë duke e humbur titullin hoxhë! Sepse, doli puna që ai paska qenë nxënës dhe prodhim i Stanko Dragoviqit, kurse unë duke u nisur nga ajo si fliste dhe si sillej, kam besuar se është mirë ta ndihmoj dhe të jap kontributin tim nga pozita e të parit të BFI-së, siç kam ndihmuar shumë hoxhallarë, madje edhe në çështje të tyre familjare! Ta uroshë e t’i përulesh “klyshëve” të eprorëve të UDB-së, Dragoviqëve, është baraz me ftesën e përshpirtshme që i bëhet kijametit.
Asnjëherë nuk reaguan partitë e bllokut mysliman kur, për shkak të kërkesave të mia krejt normale për denacionalizim të plotë, për ndërtim të Xhamisë që e dogjë në Prilep, për kthim të Xhamisë në Shtip që e kthyen në kishë, akuzohesha publikisht si person jotolerant, si ekstremist e i rrezikshëm për shtetin dhe shoqërinë si dhe me lloj-lloj etiketash të pandershme por dhe minues i bashkëjetesës ndërkonfesionale. Kurse dëshirat e mia, urimet dhe porositë e mia, gjithnjë kanë qenë përplot me humanizëm. Habitem kur shof se shumë hoxhallarë po dhe profesorë universitarë flasin dhe kërkojnë të mos festohet ose urohet ndonjë festë ndërkombëtare, festa e ndrrimit të moteve, nga ana tjetër, zyrtarë të politikës po dhe të BFI-së, përfshihen në liturgji fetare. Hoxhallarë dhe teologë, po edhe Dr.Musa Musai, si një ish anëtar i Rijasetit të dikurshëm, duhej të kishin reaguar kur Xhelal Bajrami si zv.ministër, gjatë një ceremonie gurëthemeli dhezi qirinj dhe u bë pjesë e liturgjisë kishtarе! Ose së paku të kishin reaguar kur Sekretari i Përgjithshëm i BFI-së, Irsal Jakupi, përmes dhezjes së qirinjve u bë pjesë e liturgjisë së festës hebreje së sakrificës dhe përkushtimit – Hanukkah. Fatkeqësisht, sjellja dhe veprimet në kundërshtim me parimet islame, kaluan pa reagime. Ndërkoh reagojmë për festa që nuk kanë të bëjnë dhe nuk lidhen me religjione, madje reagojmë edhe kur ia urojmë njëri-tjetrit! Gjithnjë kam kërkuar të urojmë, të shprehim urata e dëshira për çdo njërin me të cilin bashkëjetojmë.
Sëkendejmi, uroj që viti 2021 të jetë vit i realizimit të çdo dëshire jetësore, me plotë shëndet dhe shumë suksese për secilin qytetar të shtetit tonë dhe të mbarë botës. Uroj mirëqenie, bashkëjetesë dhe ndëshkim komplotistëve e tradhëtarëve. Uroj me shpirt që Viti që po vie të jetë vit i ndërgjegjësimit tonë si shoqëri dhe të mësojmë të dallojmë të mirën nga e keqja, bereqetin nga plehërat, miqësinë nga servilizmi. Urime të pakufishme edhe për festat e botës krishtere. Zoti shëndet e mirëqenie për mbarë njerëzimin.