Drejtuesit e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut ankohen se autoritetet përgjegjëse e kanë shpërfillur pjesën më të madhe të iniciativave nga ky komision për shkarkimin e drejtorëve si dhe funksionarëve të ndryshëm në institucionet e shtetit, e të cilët i ka emëruar qeveria.
Nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit kanë theksuar se pasi është konstatuar se e kanë kryer detyrën në mënyrë të papërgjegjshme, së fundmi janë ngritur tri iniciativa për shkarkimin e drejtorëve deri te regjistri qendror dhe këshillat drejtues të këtyre drejtorive.
Zyrtarë nga ky komision thonë se, si zakonisht, edhe kësaj radhe ose kanë marrë përgjigje se konstatimet e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit janë të pabaza ose fare nuk reagohet brenda 60 ditëve aq sa është dhe afati ligjor.
Kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kompetente u janë përgjigjur më pak se një të tretës së kërkesave të komisionit që përfaqëson, për sa i përket përgjegjësisë së drejtuesve të institucioneve, si dhe bartësve të funksioneve të ndryshme të shtetit.
“Nga gjithsej 58 ose 60 iniciativa që kemi ngritur, për sa i përket përgjegjësisë, vetëm 18 janë pranuar, përderisa të tjerat ose janë hedhur poshtë ose fare nuk kemi marrë përgjigje. Personalisht, mendoj se bëhet fjalë për një numër shumë të vogël për sa i përket mbështetjes së iniciativave tona”, thotë Ivanovska.
Ajo shpreson që kjo fotografi të përmirësohet pas presionit nga opinioni publik pasi nga kjo javë, çdo të dytën të martë të muajit anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsioni do të kenë takim online me zëvendëskryeministrin e angazhuar për luftimin e Korrupsionit, Lupçe Nikolovski. Kjo do të bëhet me qëllim këmbimin e informacioneve për verifikim dhe organizim më të mirë të institucioneve në lidhje me rastet që kanë të bëjnë me korrupsion.
“Pas kësaj do ta shohim nëse do të jetë frytdhënës bashkëpunimi ynë në këtë dimension”, thotë Ivanovska.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Nikollovski thotë se ka reaguar ndaj çdo iniciative, e cila ka arritur direkt deri tek ai.
Nikollovski shton se për të shmangur mosreagimin tani është rregulluar që çdo iniciativë të arrijë edhe tek ai krahas organeve përkatëse.
“Kemi shkarkuar më shumë drejtorë seç ka propozuar Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, kemi shkarkuar drejtorin e Agjencisë Kombëtare, zëvendësdrejtorin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, janë shkarkuar kryetarë të këshillave mbikëqyrës, pra është reaguar ndaj çdo iniciativë, e cila ka ardhur deri tek unë, qoftë nga mediat apo qytetarët”, deklaron Nikollovski .
Për sa i përket shkarkimit të drejtorëve kur konstatohet se ata kanë shkelur ligjin, zëvendëskryeministri përgjegjës për luftën kundër korrupsionit fajin e hedh te reagimi i ngathtë i sistemit gjyqësor për sa i përket procesimit të parashtresave ndaj funksionarëve.
Por, Bashkim Selmani, ish-gjykatës, thotë se mungon vullnet politik që t’i shpallet luftë e pakompromis korrupsionit dhe për këtë arsye institucionet, siç shprehet ai, luajnë lojën e pingpongut duhet ia hedhur njëra-tjetrës fajin ndërkohë që rezultatet mungojnë.
“Këtu mungon vullneti politik i institucioneve dhe institucionet ia bartin njëra-tjetrës veprimin. Këtu është dhe Ligji për anti-korrupsion, i cili shumë mirë e përcakton rolin dhe kompetencat e korrupsionit ku saktë përcaktohet se nga momenti që konstatohet se ka shkelje, lënda duhet të kalojë në Prokurori dhe më pas në instanca tjera, kaq e thjeshtë është”.
“Por, këtu ka më shumë lojëra politike mes institucioneve për t’ia bartur fajësinë njëra-tjetrës dhe në këtë rast edhe më shumë thellohet krimi dhe korrupsioni në nivele të larta”, vlerëson Bashkim Selamni, ish-gjykatës.
Nga ana tjetër, opozita në vazhdimësi rikujton se Maqedonia e Veriut jo më kot është vendosur në pozitën e 111 për sa i përket Indeksit për perceptimin e korrupsionit nga Transparency International pasi për çdo ditë me veprimet e autoriteteve shtetërore, vendi ec me hapa mbrapsht për sa i përket luftës kundër korrupsionit.