Midis nesh
Ka kohë që mjegulla ka rënë edhe mbi kulturën shqiptare, e cila mbahet gjallë vetëm në saje të arnimeve të imta. Gjendja e këtillë dëshpëruese erdhi si pasojë e trajtimit të saj në mënyrë më të vrazhdë të mundshme nga ana e atyre që kulturën e kuptuan si një këngë që këndohet me dy-tri akorde. Nëse tërësitë e njohurive dhe arritjeve zhvillimore të një grupi, shoqërie ose populli, në fushat e caktuara të veprimtarisë mendore, krijuese, materiale e shoqërore përmblidhen me termin kulturë dhe nëse misioni i artit është e vërteta, atëherë ne arrijmë edhe te një e vërtetë tjetër: te mohimi i vetvetes. Po pse shqiptarët duhet të habiten kur mohohen nga të tjerët!?
Është e qartë se kultura nuk mund të bëhet me dy –tri klane që mundohen të keni monopol mbi çdo gjë e as me mafinë kulturore, aq më tepër jo me ata që kanë shpirt provincial, sepse pikërisht këta janë mjeshtërit e vërtetë të improvizimeve dhe manipulimit. Ata që do të duhet ta parandalojnë këtë janë vënë në shërbim të politikave ditore të pushtetit, kurse ata që herë – herë e marrin flamurin e “shpëtimit” janë diletant që qëndrojnë në ballë të aktiviteteve shterpë. Pikërisht kjo bëri që përmes portës së madhe të hyjë a-kulturimi, duke u shndërruar në proces që vazhdon të zhvillohet, që nuk e ngacmonte askënd, e sidomos jo përfaqësuesit e komunitetit të “artistëve” shqiptarë, të cilëve herë – herë u ndodh zgjimi afatshkurtër nga letargjia ose aktivizohen vetëm nëse vlerësojnë se mund të bëjnë ndonjë biznes.
Ata që janë kompetentë për ta thënë të vërtetën, janë futur skutave të errëta dhe nuk duken fare, duke u justifikuar se fajin kinse e ka vetëm politika. Ndaj, është shumë e natyrshme, që në vend të tyre, për fatin e kulturës shqiptare të përkujdesen analfabetët funksional që qëndrojnë në radhët e para të frontit, ndërkaq pas tyre qëndrojnë manipuluesit e fshehur nëpër istikame.
Definicion të prerë për intelektualin nuk ka. Intelektual mund të jetë një njeri që ka përgatitje të lartë profesionale dhe kulturë qytetare, që vret mendjen vazhdimisht për të sjellë diçka të re dhe me vlerë në shoqëri. Ka disa që mendojnë se intelektualët janë krenaria e një kombi, shpresa për një të ardhme të ndritur. Disa të tjerë mendojnë se një intelektual ka për mision të nxjerrë në pah edhe thelbin e çështjes, rëndësinë që merr një çështje e caktuar në të gjitha kontekstet në të cilat mund ta përcjellin rrethanat. Ai përcakton raportin e një çështje, kauze, shkence etj, me shoqërinë dhe kohën përmes një analize neutrale në emër të parimeve profesionale dhe të vërtetës ashtu siç edhe e percepton.
Por, ka edhe të tillë që vlerësojnë se jo çdo diplomë universiteti na qenka pasaporta që të bën intelektual. Tash shtrohet pyetja: në cilën nga këto vlerësime duhet vënë intelektualin shqiptar? Ajo që është shumë e absurde ka të bëjë me mungesën e debatit intelektual. Në një shoqëri normale ky debat do të duhej të kthehet në një institucion moral. Aty ku ka debat intelektual, ka vend për zgjidhje dhe për zhvillim të qëndrueshëm.
Zhan Pol Sartër ka thënë se nuk mund të jesh intelektual po që se nuk posedon, përveç dijes, edhe guximin. Kurse intelektualët shqiptarë në të shumtën e rasteve treguan jo vetëm se janë të padijshëm, por edhe frikacakë. Dilema se a ka intelektualë shqiptarë të mirëfilltë, është një çështje që vazhdon të mbetet dilemë…/HEJZA/