Gjuha shqipe dhe problematikat e saj ishin në fokus të intervistës me Profesor Edmond Tupen, i ftuar në intervistën e edicionit qëndror të lajmeve në Rtv Ora të premten, 2 prill.
Në gjykimin e Tupes, përkthyes dhe autor i disa librave, mëkatin më më të madh në shtrembërimin e gjuhës shqipe e ka media dhe politika.
Sipas tij, përdorimi i shumtë i fjalëve të huaja është shumë i dëmshëm.
Tupe: Mëkati është njerëzor por kur vjen puna te thebi i një kombi që është gjuha, aty unë nxjerr kthetrat. Shumë gjuhë e vjetër është shqipja por puna është se çfarë do të bëjmë për ta mbrojtur. Gjuha shqipe po globalizohet në leksik, te fjalët e saj por edhe te strukturat e thella.Mënyrat e foljes, dëshirorja dhe habitorja po zhduken. I kanë vetëm dy gjuhë në Europë, shqipja dhe greqishtja. Po zhduken fjalë historikisht shqipe. Iku fjala, vdiq, i paharruar qoftë kujtimi i saj.
Fjala kujtesë iku, ka hyrë fjala memorie edhe te ata që nuk dinë gjuhë të huaj. Nuk është vetëm gjuha por diskursi, ligjërimi shqip, ligjërimi politik.Futen strukturat e gjuhën anglo-amerikane. Kur ndryshohen strukturat, kur dhunohen strukturat e gjuhës vjen një moment që dhunohen dhe strukturat e mendimit, nuk merremi vesh. Dje lexova që Edi Rama, ende kryeministër, thoshte se do ta lehtësojmë punën e turizmit me se sbën.
Nga vjen kjo? Me çdo kusht po, me se s’bën apo me patjetër, patjetër do ta bëj por jo me patjetër. Hyjnë ca struktura që nuk e di nga vijnë. Thashë çfarë po thotë. Janë futur italianizma, amerikanizma, anglicizma dhe në strukturë. Nuk themi më siç tha ju por siç ju thatë.
Prindërit mirë bëjnë që harxhojnë që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhët të huaja. Duhen mësuar gjuhët e huaja por pa u konsoliduar, përforcuar themelet e gjuhës amtare do të kenë gjithmonë mangësi, do të jenë të ngathët në të shprehur dhe pastaj në të menduar. Deri në 10 vjeç fëmija duhet të rritet me gjuhën e tij amtare pastaj duhet të mësojë gjuhë të huaj. Ne i mësojmë nuk e di, pa lindur ndoshta.
Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana
04.04.2021