Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alijev njoftoi çlirimin e qytetit Shusha, një qendër me rëndësi kritike për çlirimin e Karabakut Malor nga pushtimi armen.
Qyteti azerbajxhanas Shusha është çliruar nga pushtimi i forcave armene, njoftoi Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev në një fjalim drejtuar kombit të dielën.
Fillimisht Ilham Aliyev vizitoi varrin e ish-presidentit Haydar Aliyev dhe vendosi kurorë me lule mbi varrin e presidentit të ndjerë. I veshur me uniformë ushtarake Aliyev mbajti qëndrim nderi gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar të vendit dhe shoqërohej nga bashkëshortja Mihriban Aliyeva.
Pastaj Aliyev vizitoi varrezat e dëshmorëve të 20 Janarit në Baku. Aliyev vendosi kurorë me lule në Monumentin e Zjarrit të Përjetshëm dhe iu drejtua nga këtu kombit me një fjalim.
Presidenti Aliyev tha se ushtarët azerbajxhanas kishin çliruar qytetin Shusha nga pushtimi 28-vjeçar armen dhe e përgëzoi popullin për këtë fitore. Kjo ditë do të mbetet në historinë e Azerbajxhanit si një datë e rëndësishme, u shpreh Aliyev.
“Shusha zë një vend të rëndësishëm në historinë e Azerbajxhanit. Shusha është perla e të gjithë Kaukazit, jo vetëm e Azerbajxhanit. Pas 28 vitesh në Shusha do të dëgjohet ezani. Marshimi ynë i fitores vazhdon. Nëse udhëheqja armene nuk u përgjigjet kërkesave tona, ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj. Është marrë haku i viktimave të Hoxhalisë, i martirëve tanë. Hakmarrja ka ndodhur në fushën e luftës”, tha Aliyev në fjalimin e tij në Rrugicën e Martirëve në kryeqytetin Baku.
Shusha ishte pushtuar nga Armenia në 8 maj 1992.
Shusha është themeluar në vitin 1752 nga Penahali Hani, sundimtari i Karabakut dhe është një qytet i rëndësishëm për të gjithë azerbajxhanasit, jo vetëm për banorët e Shushas, pasi krahas shumë monumenteve historike që ka qyteti, këtu kanë lindur një numër i madh figurash të shquara në fushën e shkencës dhe kulturës.
Krahas të qenurit një qytet i rëndësishëm, një nga simbolet e historisë dhe kulturës së Azerbajxhanit, me pozicionin gjeografik dominues në rajon Shusha ka edhe një rëndësi strategjike pasi ndodhet mbi rrugën që të çon në Hankendi, qyteti më i madh i Karabakut Malor.
Më 27 shtator ushtria e Azerbajxhanit filloi një operacion dhe deri tani ka çliruar nga okupimi armen 4 qendra të provincave të mëdha, 3 qyteza dhe rreth 220 fshatra dhe disa lartësi të rëndësishme.
Deri më tani, të paktën 92 civilë kanë humbur jetën, duke përfshirë 11 fëmijë dhe foshnja, dhe rreth 404 njerëz, me të paktën 36 fëmijë mes tyre, janë plagosur në sulmet e fundit të forcave armene, sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Azerbajxhanit.
Rreth 3.064 shtëpi dhe 100 pallate janë shkatërruar, ndërsa 504 objekte civile janë dëmtuar.
Armëpushimi i përkohshëm humanitar i ndërmjetëm i fundit ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë hyri në fuqi më 26 tetor. Sidoqoftë, ai ishte jetëshkurtër, pasi forcat armene e shkelën përsëri armëpushimin vetëm disa minuta pasi u bë efektiv.
Armëpushimi i parë, i arritur në 10 tetor, u shkel brenda 24 orësh ndërsa sulmet armene me raketa në qytetin azerbajxhanas, Ganxha (Ganja) morën shumë jetë civile.
Një armëpushim tjetër më 17 tetor u shkel gjithashtu nga trupat e Armenisë.
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun Malor, i njohur ndryshe si Nagorni-Karabak, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit dhe rajonet fqinje.
Rreth 20% e territorit të Azerbajxhanit – përfshirë Nago-Karabakun dhe shtatë rajone fqinje – ka qenë nën okupimin ilegal të Armenisë për gati tre dekada.
Ndërsa fuqitë botërore kanë bërë thirrje për një armëpushim të qëndrueshëm, Turqia ka mbështetur të drejtën e Baksë për vetëmbrojtje dhe kërkon tërheqjen e forcave pushtuese të Armenisë nga Karabaku.
Tërheqjen e forcave pushtuese e kërkojnë gjithashtu edhe shumë rezoluta të Kombeve të Bashkuara (OKB)./TRT/