Kosovë, ende problem njohja e diplomave të universiteteve private shqiptare

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë vazhdon të mos i njohë diplomat e mbi 1000 shtetasve të Kosovës, që kanë mbaruar studimet në universitetet private në Shqipëri, përkundër marrëveshjes së arritur mes dy qeverive në mars të këtij viti, që ka të bëjë me njohjen reciproke të diplomave.

Këshilltari i ministrit të Arsimit në Kosovë, Faton Fetahu tha për Top Channel se, e gjithë kjo vonesë zbatimi e marrëveshjes është për shkaqe procedurash ligjore, por – sipas tij, – zgjidhja është çështje ditësh.

“Fakti që nuk po zbatohet, ka qenë një shqyrtim ligjor i kësaj çështjeje, sepse ligji për arsimin e lartë parashikon mundësinë që t’u njihet diploma vetëm atyre vendeve, që organet akredituese të tyre janë të anëtarësuara në ENQA apo organe të tjera. Mirëpo në të njejtën kohë, ky ligj parashikon edhe mundësinë e njohjes së diplomave në marrëveshje ndërshtetërore me palët e treta, që në këtë rast është me Shqipërinë. Ministria e Arsimit është pothuajse në fazën përfundimtare të përgatitjeve teknike operative për njohjen e këtyre diplomave, rast pas rasti, dhe mendojmë që është çështje ditësh fillimi i njohjes së këtyre diplomave”, tha Faton Fetahu, këshilltar i ministrit të Arsimit.

Por, një arsyetim i tillë nuk qëndron për përfaqësuesin e shtetasve të Kosovës të diplomuar në Shqipëri, Niman Bardhi.

“Ministria e Arsimit, as edhe një herë nuk gjeti gatishmërinë që t’i njohë këto diploma, me të vetmin argument se APAAL-i, apo Agjencia e Akreditimit që ka Shqipëria, nuk është anëtare e ENQA-s. Dhe pikërisht kjo na lë të dyshojmë dhe të mos ndihemi shumë komodë në raport me deklarimet e Ministrisë së Arsimit, sepse – lind pyetja, – si mundet atëherë që të njihet një diplomë e universitetit publik dhe të mos njihet një diplomë e universitetit privat? Është i njëjti APAAL, është e njëjta agjenci akreditimi, siç e kemi edhe ne këtu, që bën akreditimin e institucioneve publike dhe private. Të dyja i ka akredituar po e njëjta agjenci”, tha Niman Bardhi, përfaqësues i të diplomuarve në universitetet private në Shqipëri.

Bardhi tha se, të diplomuarit që përfaqëson janë diplomuar në programe të licencuara, madje u është kërkuar t’i nënshtrohen edhe provimit shtetëror në Republikën e Shqipërisë. Ai tha se janë përballur me këtë problem që nga viti 2010, e për këtë janë zhvilluar disa takime.

Më 12 tetor ata u pritën në takim edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, nga i cili kërkuan ndihmën e qeverisë shqiptare.

“Është një problem që po zgjatet prej vitesh, pavarësisht vendimeve apo memorandumeve të mirëkuptimit midis dy qeverive apo ministrive përkatëse të Arsimit, të Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo që është e rëndësishme, ata nuk kërkojnë as më shumë e as më pak, por që diplomat e njohura nga Republika e Shqipërisë, nga universitete të akredituara nga Republika e Shqipërisë, të kenë zbatim dhe këtu në Kosovë, ashtu siç është me diplomat e universiteteve të Kosovës në Shqipëri, prandaj shqetësimi i tyre është i drejtë”, tha Qemal Minxhozi, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë.

Takimi me ambasadorin u pasua me një takim edhe me ministrin e Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami, i cili u zotua se zbatimi i marrëveshjes do të nisë shpejt.

Më shumë se dy javë pas takimit me ministrin nuk është kontaktuar asnjë nga përfaqësuesit e të dëmtuarve, e për këtë gjë Niman Bardhi tha se nëse vazhdohet kështu, do të detyrohen të protestojnë para ministrisë.

“Neve na ngelet që drejtpërsëdrejti të adresohemi në instancat më të larta qeveritare. E nëse edhe një gjë e tillë nuk ndodh, ne do të ndjekim edhe vijat më të larta në nivel europian. Nëse edhe kjo nuk ndodh, atëherë nuk ndihem komod ta them, por jam i detyruar, ne do të dalim para Ministrisë dhe do të protestojmë. Nuk besoj se është në kënaqësinë e Ministrisë së Arsimit, nëse dalin rreth 2000 persona të diplomuar në protestë”, tha Niman Bardhi, përfaqësues i të diplomuarve në universitetet private në Shqipëri.

Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave mes Kosovës dhe Shqipërisë është arritur më 25 mars 2015 dhe i referohet  njohjes së diplomave të universiteteve të akredituara, të cilat njihen në vendet e tyre.

Leave a Reply