Këto ditë, Shaqir Fetai e paska thirrur Kuvendin e BFI-së, pas dy viteve përgjumje të këtij organi kolektiv dhe. Në fund të kësaj mbledhje i paska “dekoruar” me “mirënjohje të gjithë anëtarët e Kuvendit, duke i falënderuar për punën dhe kontributin e dhënë”
Shkruan Shaban Aziri
Dy vite më parë, po ky Kuvend ishte mbledhur dhe i kaloi qorrazi të gjitha buxhetet si dhe llogaritë përfunimtare të organeve të BFI-së dhe të Rijasetit. Që atëherë, nuk u mblodh më, ndonëse pasuan aktivitete nga më të trishtat në historinë e BFI-së! Si kurrë më parë ishte e nevojshme mbledhja e këtij organi, si kurrë më parë është dashur të dëgjohet fjala e këtij organi! Si asnjëherë më parë për këto dy vite, ky organ, është dashur ta shfletojë e të thirret në shumë nene të Kushtetutës së BFI-së, sepse, fundja, ky organ është edhe “pararoja” më e thirrur e mbrojtjes së kushtetutshmërisë së BFI-së dhe veprimtarisë konform akteve normative që i miraton, që i sjell, që i abrogon apo që i ndryshon e që janë kompetenca ekskluzive e këtij organi.
Pra, patëm shkelje të tërë Kushtetutës me rastin e puçit kriminal që iu bë ish-reisit!
Patëm mospranim apo refuzim dhe as pranim të dorëheqjes së ish-reisit, akt këtë që e obligon Kushtetuta e BFI-së. Shkilet Kushtetuta kurse Kuvendi nuk debaton, nuk reagon, nuk i dëgjohet zëri!
Patëm “përcaktim” kush të jetë “ushtrues detyre”, dy kategori postesh këto të panjohra për Kushtetutën aktuale të BFI-së dhe për asnjë akt tjetër normativ në kuadër të këtij Institucioni.
Patëm manipulime nëse është “u.d.”, apo “reis”, gjë që Kushtetuta i sqaron mjaft mirë këto dilema, të cilat do të duhej të debatoheshin në Kuvendin e BFI-së!
Patëm “akte” të pamiratuara nga ky Kuvend!
Patëm emërime pa u mbështetur në asnjë akt konform neneve të Kushtetutës së BFI-së!
Patëm zgjedhje të organizuara jasht të gjitha standardeve dhe normave të përcaktuara në Kushtetutën e BFI-së dhe pa Rregullore për zgjedhje të Reisit!
Në të gjitha këto procese u injorua Kuvendi i BFI-së, në të gjitha këto procese u mohua kompetenca, detyra dhe obligimi i Kuvendit të BFI-së.
Në fund, pa debate ekspertësh, pa diskutime profesionale, në kohën kur po vlon policia financiare në BFI, anëtarët e këtij Kuvendi i miratojnë symbyllurazi “buxhetet” dhe “llogaritë përfundimtare” që kundërmojnë në krim, në hajni, në antiislamizëm.
Dhe, për këtë “vigjilencë” të anëtarëvë të Kuvendit të BFI-së dhe, për miratimin në heshtje të tyre për të gjitha shkeljet Kushtetutare, për tërë atë mohim të madh që Shaqir Fetai ua ka bërë tërë kohës, në fund, do të “dekorohen”, me “mirënjohje duke i falënderuar për punën dhe kontributin e dhënë në të mirë të Bashkësisë Fetare Islame në përgjithësi”!
Kontributi i tyre konsiston në heshtje përballë shkeljeve flagrante të Kushtetutës; konsiston në pajtim me të gjitha veprimet kriminale që u ndërmorën, duke shkelur Kushtetutën, për ta grabitur Institucionin e BFI-së; kontributi i tyre konsiston në meritat e tyre që duke toleruar shkelje të akteve juridike të BFI-së, në krye të instalohet një fuks, akt ky që do t’i kushtojë shumë rëndë Institucionit gjashtëshekullor të BFI-së.
Kjo nuk është asgjë tjetër përveçse një tallje dhe një ofendim i paparë në hisorikun e BFI-së, të cilën nuk ia kanë bërë as pushtuesit më barbarë ndër shekuj.
“Kontributi” i anëtarëve aktualë të Kuvendit të BFI-së është heshtja fantomike para instalimit të Shaqir Fetait në krye të BFI-së nga pushteti aktual! Dhe, “respektimi” i tyre me “mirënjohje” është vetëm një tallje e thellë! Personat me integritet dhe e dinjitet të paluhatshëm do t’i grisnin e thyenin ato “mirënjohje” dhe do t’ia përplasnin surratit Shaqir Fetait, i cili, shpenzon nga buxheti i myslimanëve për ta “dekoruar” heshtjen përballë krimit! Turp! Zoti në hajër ishalla!
(Autori është kordinator i Këshillit për Mbrojtjen e Kushtetutshërisë së BFI në RMV)