Kriza në Maqedoni, SHBA: Shumica të krijojë qeverinë

SHBA përsërisin apelin për krijimin sa më shpejt të qeverisë së re, për t’i dhënë fund krizës politike. Mesazhin e përcolli nga Shkupi zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, pas takimeve që zhvilloi me presidentin Ivanov, kryeparlamentarin Xhaferi dhe liderët shqiptare e maqedonas.

Është shumë e rëndësishme që liderët të gjejnë një mënyrë për daljen nga kriza, të gjejnë një mënyrë që të lejojnë shumicën të krijojë qeverinë dhe të zbatojë programin. E dimë që ka shqetësime për programin qeverisës dhe si në të gjitha demokracitë e dimë që ajo që propozohet nga shumica duhet debatuar dhe votuar në parlament. Vendi duhet të bashkohet, të krijohet një qeveri që të angazhohet për zbatimin e reformave për ta çuar atë drejt integrimit.”

 

Zyrtari amerikan konfirmoi mbështetjen e SHBA për kreun e ri te parlamentit.

 

“Fundi i krizës në pikëpamjen tonë është krijimi i një qeverie te re. SHBA do të bashkëpunojnë me kryeparlamentarin Xhaferit, të cilit duhet t’i jepet cdo mundësi që të tregojë lidershipin e nevojshëm dhe të ndërmarrë hapat e nevojshme për të formuar qeverinë.”

 

Vizita e zv/ndihmës sekretarit amerikan solli edhe një zbutje te toneve të presidentit Ivanov. Ne njoftim për shtyp te kabinetit te presidentit u theksua se Ivanov i kërkoi Zoran Zaev te japë garanci se do te mbroje unitetin e kombit dhe do te respektoje Kushtetutën e Maqedonisë.

 

Pas takimit me Hoyt Brian Yee, lideri i LSDM, Zaev theksoi se programi i qeverisë së re garanton unitetin e shtetit, respektimin e Kushtetutës dhe perspektivat euro-atlantike të Maqedonisë. Qeveria e ardhshme tha ai është gati të bashkëpunojë me opozitën për reformat, por VMRO duhet të ndalë tensionet.

 

Gjatë qëndrimit në Shkup zyrtari amerikan foli edhe për aktet e fundit të dhunës në parlamentin maqedonas. Ai kërkoi që autoritetet t’i hetojnë siç duhet ato dhe përgjegjësit të dalin  përpara drejtësisë. Deri tani të arrestuar janë vetëm 4 persona, ndërsa janë lëshuar fletearreste për 15 të tjerë.

Leave a Reply