Derisa Zoran Zev nuk merr mandatin nga presidenti, kryesia e integristëve nuk do të mblidhet për të diskutuar hapat e mëtejmë rreth pjesëmarrjes në Qeveri ose qëndrimin në opozitë. Partive potenciale për përbërjen e ekzekutivit të ardhshëm, BDI-së, Besës dhe Aleancës ju mbetet të negociojnë edhe për çështjen e ndarjeve të resorëve dhe posteve të tjera shtetërore.
Palët nuk pranojnë të kenë diskutuar se cila do të ishte ndarja e mundshme e pushtetit dhe cila parti me cilin resor do të udhëheqë, në rast të pjesëmarrjes në Qeveri. Zaevi pritet të marrë mandatin me mbështetjen e deputetëve të tre partive shqiptare parlamentare, të cilat kanë deklaruar se kjo nuk nënkupton automatikisht edhe pjesëmarrjen e tyre në përbërjen e ekzekutivit të ardhshëm.
Sipas partive që kanë angazhuar grupe pune për negociata me LSDM-në, gjithçka që është diskutuar deri më tani, ka pasur lidhje me platformën e partive shqiptare. Nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi deklaroi se sapo Zaev të marrë mandatin dhe në rast të përcaktimit të partisë së saj për pjesëmarrje në Qeverinë e re, procesi i negocimit për resoret ministrore dhe postet e tjera do duhet të reduktohet dhe përpilimi i programit jo domosdoshmërisht do të marrë 20 ditë siç është paraparë me Kushtetutë. Kjo për shkak se Kuvendit nuk i ka mbetur shumë kohë për zgjedhjen e kryetarit dhe shpalljen e zgjedhjeve lokale, gjë e cila më së voni duhet të ndodhë të hënën. Edhe kreu i LR PDSH-së Ziadin Sela para mbledhjes së kuvendit qendror të partisë tha se janë të gatshëm të marrin përgjegjësi në qeveri, por u shpreh kategorik se pa plotësimin e pikave të platformës së partive shqiptare Aleanca nuk do të bëhet pjesë e ekzekutivit.