Kur e huaja bëhet me afërt se e jona!

Midis nesh

Kur bëhet fjalë për letërsinë, gjithandej dëgjohet se autorët shqiptarë lexohen fare pak, ndaj dhe botuesit shumë më tepër janë të koncentruar në përkthimin autorëve të huaj, përkatësisht të atyre të cilët qëndrojnë lartë në bursat e shitjes.
Pra, përkthimi i veprave të huaja është bërë një biznes me leverdi, por që në shtigje më të gjata, mund të jetë i rrezikshëm, sepse pikërisht përkthimet sikur e mbulojnë atë që është prodhim shpirtëror shqiptar.
Po çfarë kanë autorët e huaj me tepër se shumë shkrimtarë tanë, veprat e të cilëve vërtet janë cilësore, por që akoma nuk e kanë gjetur tregun e vërtetë apo të përafërt me ata autorë, të cilët përkthehen nga shtëpitë botuese shqiptare jo për ndonjë vlerë të veçantë, por thjeshtë për çështje materiale.
Natyrisht, tregu është i ashpër dhe konkurrues dhe në këtë drejtim, ashpërsia është diçka që nuk evitohet lehtë. Mbi të gjitha, në këtë ashpërsi, rol dominues ka marketingu, një fuqi kjo që edhe “buburrecin ta bën elefant”, përkatësisht edhe një paçavure letrare ta bën, siç thuhet, bestseller. Dhe, është shumë normale, që nën ndikimin e këtij marketingu të ashpër, të bien edhe botuesit shqiptarë, të cilët angazhojnë përkthyes cilësor, për t’ia sjellë lexuesit shqiptar një vepër me atributin “bestseller”, gjithnjë me një përgatitje cilësore të shprehur përmes dizajnit mjaftë tërheqës.
Ndaj dhe është e qartë se përse autorët shqiptarë kanë mbetur nën hije e autorëve të huaj që, po kështu, edhe nëpër libraritë tona kanë lënën nën hije autorët shqiptarë. Nuk janë edhe gjithaq politika të gabuara të botuesve shqiptarë, sa të shteteve shqiptare, të cilat nuk gjejnë një mekanizëm për ta përmbysur këtë trend të rrezikshëm jo vetëm për letërsinë shqiptare, por edhe përgjithësisht për kulturën shqiptare, e cila gjithnjë e më shumë është në presionin e ndikimeve të jashtme, që tashmë kanë filluar ta zbehen identitetin tonë kombëtar. Një dukuri e këtillë është e dukshme edhe në teatrot tona, ku autorët shqiptarë prezantohen vetëm në mënyrë simbolike, pastaj në muzikë e në shumë sfera tjera. Pra, e huaja po na bëhet me e afërt se ajo që është e jona, e shpirtit tonë, e gjuhës tonë, e realiteti shqiptar. Prandaj debati për botimin e letërsisë tonë përballë letërsisë së huaj, do të duhej të ofronte një zgjidhje adekuate për t’i kthyer disa gjëra aty ku e kanë vendin. Nuk duhet të lejojmë që e huaja të bëhet përditshmëri e jona, sepse është me pasoja të rënda dhe të pariparueshme….
/HEJZA/

Leave a Reply