Kur ngushëllimi përdoret për marketing – rasti i turpshëm i Shaqir Fetait

Editorial i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI

Nga një udhëheqës fetar, shoqëria pret maturi, dinjitet dhe ndjeshmëri njerëzore, veçanërisht në momentet kur dhimbja troket në derën e dikujt. Mirëpo, kur këto parime themelore shkelen për hir të vetë-promovimit dhe propagandës personale, kemi të bëjmë jo thjesht me mungesë etike, por me një akt të thellë degradimi moral dhe institucional. Ky është rasti i fundit me publikimin e lajmit nga i ashtuquajturi “reisi”, Shaqir Fetai, lidhur me vizitën e tij te ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, për të shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të babait të tij.

Ngushëllimi është një akt i heshtur, i përulët, i përzemërt. Ai nuk ka nevojë për kamerat, as për konferenca për shtyp. Kur ngushëllimi bëhet objekt lajmi, kur ai publikohet me emra, funksione, kronologji dhe pompozitet, nuk është më ngushëllim, por një akt i ftohtë marketingu. Pikërisht këtë bëri Shaqir Fetai – e përdori një moment dhimbjeje personale të një diplomati për të ndërtuar një skenë ku ai dhe oborri i tij shfaqen si “personalitete të rëndësishme”, që gjoja bartin peshën e një përfaqësimi institucional.

A është e ndershme? Aspak. A është e denjë për një lider fetar? Absolutisht jo. A është përtej çdo protokolli diplomatik dhe etikës njerëzore? Pa diskutim.

Ky veprim është një tjetër faqe e zymtë në librin e gjatë të devijimeve të Shaqir Fetait, i cili prej kohësh e ka kthyer institucionin që duhet të përçojë moralin, spiritualitetin dhe vlerat islame, në një tribunë personale vetëlavdërimi. Ai nuk e shfrytëzon pozicionin për të ndërtuar urë lidhëse mes komuniteteve dhe vlerave, por për të ndërtuar një kult të vetes. Kjo është e papranueshme.

Publikimi i një vizite për ngushëllime si lajm – si të ishte një marrëveshje ndërkombëtare – jo vetëm që është një shkelje e etikës së ndjeshmërisë ndaj dhimbjes njerëzore, por është një shkelje flagrante e protokollit diplomatik. Ambasadori i çdo vendi është një figurë që gëzon respekt institucional, dhe ngushëllimet ndaj tij jepen në mënyrë diskrete dhe me dinjitet, ashtu siç kanë bërë edhe të tjerët nga kori diplomatik në Tiranë si dhe personalitetet e shumtë vendore, të cilët ngushëllimin nuk e kanë bërë lajm, siç e bën ky farë “reisi” i denjë për personazh i materialit komik. Të përdorësh një moment të tillë për të ndërtuar PR personal është një akt i padenjë dhe i turpshëm.

Për fat të keq, kjo nuk është hera e parë që Shaqir Fetai bie në grackën e vetë-propagandës së shfrenuar. Por këtë herë ai ka shkuar shumë larg: ka shkelur mbi dhimbjen njerëzore për të bërë një lajm mbi veten. Ka shpërdoruar një akt fetar, që në thelb duhet të jetë i pastër, për të ndërtuar një histori të rreme lavdie. Dhe ky është kulmi i arrogancës dhe mungesës së empatisë.

Bashkësia Fetare Islame meriton më shumë. Komuniteti mysliman i RMV-së meriton një lider që i udhëheq me përgjegjësi, ndjeshmëri dhe vizion, jo një figurë që e përdor çdo moment për të rritur kapitalin personal mediatik, qoftë edhe mbi kurrizin e dhimbjes njerëzore.

Është koha për reflektim. Dhe nëse reflektimi mungon, atëherë është koha për përgjegjësi.

Leave a Reply