Organi ekzekutiv i Bashkimit Europian do të gëzojë një barazi më të madhe gjinore, duke i dhënë fokus standardeve, problematikave aktuale dhe multilateralizmit. Ekipi u prezantua nga shefja e Komisionit dhe ish-ministrja gjermane, Ursula Fon-derlajn.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Fonderlajn, prezantoi të martën ekipin me të cilin do të qeverisë organin ekzekutiv të unionit deri në vitin 2024.
13 gra dhe 14 burra të zgjedhur nga 27 vendet anëtare, me përjashtim të Britanisë së Madhe, i sigurojnë për herë të parë Komisionit një barazi gjinore, megjithëse shtetet e Europës Lindore mbeten të diskriminuara në raport me ato perëndimore për postet më kryesore.
“Dua një komision të baraspeshuar, të shkathët dhe modern, një komision gjeopolitik. Do të marrim vendime të guximshme për krizën klimatike, për forcimin e partneritetit me SHBA-në dhe Kinën, dhe do të jemi fqinj më të besueshëm të Afrikës,” theksoi shefja e Komisionit Europian.
Organi vendimmarrës i BE-së do të menaxhohet nga nëntë zëvendëspresidentë dhe 26 eurokomisionierë, më së shumti nga radhët e socialdemokratëve dhe partisë popullore.
Ndër tre zëvendëspresidentët ekzekutivë, holandezit Franc Timermans do i besohet implemtimi i politikave ambientaliste, danezja Margret Veshtager do të koordinojë sërish komisionin për konkurrencën, ndërsa letonezi Valdis Dombrovskis do ngarkohet përkrah italianit Paolo Xhentiloni me çështjet ekonomike.
Ministri i jashtëm spanjoll, Josep Borel, do të zëvendësojë Federika Mogerinin në krye të politikave të jashtme dhe sigurinë, komisioner për zgjerimin dhe për afrimin e Ballkanit dhe Shqipërisë në familjen europiane do të jetë hungarezi Laslo Troksani, ish-ambasador dhe ministër drejtësie, ndërsa paraardhësi i tij, austriaku Johanes Hahn, do të kujdeset për buxhetin dhe administratën.
Ekipi i ri ekzekutiv pritet të marrë detyrën në datën 1 nëntor, nëse siguron më parë mbështetjen e Parlamentit Europian.