Midis nesh
Tërësia e arritjeve të një populli në fushën e prodhimit dhe në zhvillimin shoqëror e mendor, është përkufizuar me nocionin kulturë.
Kalimin nga sistemi komunist në atë pluralist, shqiptarët e pritën me një entuziazëm të veçantë, sepse kishin shumë arsye që ta ndjejnë jo vetëm lirinë fizike, por edhe atë shpirtërore.
Kjo kthesë e madhe duhej të reflektonte edhe në segmentin e kulturës, sepse më në fund kishte ardhur momenti që artisti shqiptar, pa asnjë frikë, ta dëgjojë zërin e brendshëm drejt zhvillimit shpirtëror.
Dhe kur menduam se ishim në rrugë të mbarë të përjetojmë një zhvillim të hovshëm, sakaq në sfond u paraqitën shenjat e një kaosi dhe filloi epoka e vlerave të dyshimta në fushën e artit. Natyrisht, politika nuk e kurseu as kulturën, duke krijuar e shpërndarë mjegullnaja përmes militantëve të dëgjueshëm, të cilët thjeshtë nuk ishin të pajisur as me kulturë elementare.
I gjithë ky politizim rezultoi me papërgjegjësinë institucionale që në një mënyrë u bë edhe kod veprimi i institucioneve kulturore.
Nga ana tjetër, mbizotëron edhe një konstatim se, fatkeqësisht, institucionet tona kulturore nuk e dinë se çfarë është përgjegjësia dhe llogaridhënia. A mund të tregojë dikush se akcili institucion kulturor i është përmbajtur parimit të llogaridhënies, përfshi edhe dy akademitë (në Tiranë e Prishtinë). Bile bile, janë disa institucione, për të cilat opinioni as që di se ekzistojnë.
Në shumë institucione kulturore pothuaj nuk punohet asgjë, ose thjeshtë shërbejnë për pushimin e “punëtorëve të kulturës”.
Prandaj, përderisa nuk ka llogaridhënie, pse jo edhe publike, nuk mund të ketë zhvillim normal në lëmin e kulturës. Mbase, nuk është e ndershme që ky pasivitet të shpërblehet nga taksapaguesit shqiptarë.
Nëse nuk kemi vizion të qartë drejt asaj që duhet aspiruar dhe që është në funksion të zërit të vërtetë të identitetit tonë të shëndoshë, atëherë do të mbetemi aty ku jemi, shumë mbrapa. Do të jetë kështu derisa nuk funksionon institucioni i përgjegjësisë dhe llogaridhënies.
Rilindësit tanë janë shembulli më i mirë i angazhimit në funksion të perspektivës së kombit. Ata sakrifikuan gjithçka, përfshi edhe jetën për idealin e shenjtë, të cilin ideal, sot, grupi i madh i të papërgjegjshmëve, e ka nëpërkëmbur deri në palcë…
Për kaosin dhe daljen në pah të vlerave të dyshimta dikush duhet të përgjigjet. Nëse ndodh kjo, atëherë mund të themi se është bërë hapi i parë drejt përpjekjeve për ta vanë zhvillimin kulturës në binaret e vërteta…/HEJZA/