Midis nesh
Janë të shumtë ata që pretendojnë se bëjnë letërsi, duke shkruar “vjersha” e “përralla”. Sidomos, ky hov i jashtëzakonshëm u ndje pas viteve 90-ta, kur në emër të një lirie se, sipas tyre, “gjithçka që shkruhet është letërsi dhe e ha pazari”, u krijua një kaos dhe rrëmujë sa që edhe sot e kësaj dite (tridhjetë vjet më vonë), vazhdon lufta për të qëndruar mbi llumin që rrjedh pa pushuar, e të cilin llum, këta me logjikën e tyre të përçudnuar “gjithçka që shkruhet është letërsi dhe e ha pazari”, e shohin si një lum me ujë të pastër.
Nuk ishte vetëm ky hov i jashtëzakonshëm, por është edhe një tjetër, hovi për ta artikuluar vetveten në majat më të larta, të cilit i prijnë pikërisht ata që shohin ëndrra pa i mbyllur sytë.
Në ndërkohë lindën edhe shumë “shoqata” letrare të provincave të ndryshme, të cilat promovojnë vetëm vetveten, shkruajnë për vetveten, thurin lavde për vetveten, shkruajnë kritika për vetveten, bëjnë tregti duke nxjerrë në shitje vetveten, e përkthejnë vetveten, bëjnë antologji për vetveten dhe gjithçka për vetveten, duke harruar se janë brenda një ujdhese tepër të vogël sa që, në fakt, nuk i vëren askush.
Dëmi nga këto “shoqata” është shumë i madh, sepse është kuptuar si luftë për mbijetesë. Jo gjithçka që shkruhet është letërsi e as radhitja e fjalëve poezi. “Shoqatat” e këtilla të mbyllura brenda vetes sa krijojnë “vjersha”, aq edhe mjegulla, të cilat i shpërndajnë kudo që arrijnë, duke i përshkuar edhe më shumë insinuata e të pavërteta, për të cilat shpresojnë se i “ha pazari”.
Se çfarë u thonë përfaqësuesit e këtyre “shoqatave” nga Maqedonia e Veriut dhe e Kosovës, këtë më së miri e dinë qarqet letrare të Tiranës, por një “aktivitet” i tillë zhvillohet edhe anasjelltas. Kurse kjo i ngjan thënies: “shkoi shyta të kërkojë brirët, la edhe veshët”, sepse ata nuk janë në gjendje të kuptojnë se sa lehtë tradhtohen nga vetvetja, përkatësisht nga “frymëzimi” i tyre shterpë.
Janë disa ligje të pashkruara, të cilat veprojnë pamëshirshëm për ta ruajtur higjienën jo vetëm të ambientit, por edhe të shpirtit e letërsisë, duke e zhbërë llumin dhe duke e lënë lumin me ujin e pastër. Këto “shoqata” duhet t’i kenë parasysh edhe këto ligje…/HEJZA/