Kabinetit të kryeministrit Nikola Gruevski i janë bashkëngjitur edhe zyrtarisht dy ministra nga radhët e partisë më të madhe opozitare, LSDM.
Në bazë të marrëveshjes së arritur për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Ministrinë e Brendshme do ta udhëheqë sekretari i Përgjithshëm i LSDM-së, Oliver Spasovski, ndërsa Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, nënkryetarja e kësaj partie, Frosina Remenski.
“Pres që ministrat dhe zëvendësmistrat e rinj të fokusohen në procesin zgjedhor në përputhje me marrëveshjen e 2 qershorit, si dhe të mos pengojnë projektet e qeverisë”, tha Nikola Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.
Përveç ministrave, Kuvendi ka miratuar edhe 3 zv.ministrat e rinj nga radhët e partisë LSDM; Aleksandar Kiraçovski në Ministrinë e Shoqërisë Informatike, Lupço Nikolovski në atë të Bujqësisë dhe Kire Naumov në Ministrinë e Financave. Ata do të mund të përdorin të drejtën e vetos ndaj ministrave.
“Opozita hyn në qeveri jo për të qeverisur me VMRO-DPMNE-në, por për të qenë korrigjues i politikave të gabuara”, tha Goran Sugarevski, shef i grupi parlamentar të LSDM-së.
Partneri shqiptar i koalicionit qeveritar, partia BDI e Ali Ahmetit pret që partitë maqedonase të tregohen konstruktive me zëvendësministrat e kësaj partie, që nuk do të kenë të drejtën e vetos.
“Ne presim që ministrat e ardhshëm dhe qeveria e re në përgjithësi të demonstrojë konstruktivitet, sepse pikërisht BDI i ka dhënë mbështetje procesit”, tha Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.
PDSH-ja e Menduh Thaçit, e cila vijon të mbetet në opozitë, vlerëson se në qeverinë e re janë bashkuar të gjithë fajtorët, që sollën Maqedoninë në këtë gjendje.
“Për BDI-në, fakti që ata pranuan që zëvendësministrat e kësaj partie të mos kenë të drejtë vetoje, tregon se në çfarë gjendje ndodhen ata. Me këtë tregohet edhe në çfarë gjendjeje i kanë sjellë shqiptarët e Maqedonisë”, tha Ymer Aliu, shef i grupit parlamentar të PDSH-së.
Sipas marrëveshjes së 2 qershorit, qeveria e re kalimtare, që duhet të organizojë edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare në prill të vitit 2016, është parashikuar të zyrtarizohet deri më 15 janar, ndërsa deri në fund të këtij viti duhet të dorëhiqet kryeministri aktual, Nikola Gruevski. Në vend të tij do të emërohet një tjetër personalitet nga partia më e madhe maqedonase, VMRO-DPMNE.