Historia e poshtërimit të shqiptarëve nëpër tekstet shkollore në Maqedoni nuk do të marrë fund as këtë vit.
Nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme edhe në vitin e ri shkollor që nis më 1 shtator, do të mësojnë prej librave me përmbajtje ofenduese për shqiptarët. Këtë e ka pranuar vet ministri i Arsimit në Shkup, Abdilaqim Ademi, sipas të cilit tërheqja dhe zëvendësimi i teksteve skandaloze nuk është proces i lehtë.
“Përpilimi i një teksti shkollor është problematik, veçanërisht tekstet që kanë të bëjnë me historinë, gjuhën, kulturën e bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni. Dhe një pjesë, bukur e mirë e këtij aktiviteti duhet t’u lihet vetë institucioneve jo arsimore, por shkencore, veçanërisht historianëve që janë më kompetent për këto çështje”, shprehet Abdilaqim Ademi, ministër i Arsimit në Maqedoni.
Ademi, më tej ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit është në koordinim me studiues nga Shkupi, Prishtina e Tirana dhe ka ndërmarrë një nismë për hartimin e teksteve të reja që nuk do të jenë kontestuese. Megjithatë, kjo iniciativë ende nuk ka dhënë asnjë rezultat
“Në e kemi filluar një projekt me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, me Institutin e Tiranës dhe Prishtinës, me qëllim të ngritjes së një baze të mirë për përpilimin e teksteve të historisë që nuk do të jenë kontestuese dhe provokuese në disa aspekte”, thotë ministri i Arsimit në Maqedoni.
Përveç teksteve të shumta ofenduese, këtë vit tendenca poshtëruese për shqiptarët pati edhe në pyetjet e të ashtuquajturit “testim ekstern”, që e zbaton Ministria e Arsimit në shkollat fillore dhe të mesme për të kontrolluar njohuritë e nxënësve.