Përfaqësuesit e tri partive politike në Shkup, VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe BDI-së, janë ulur në një tryezë të përbashkët për të analizuar rezultatet e “Marrëveshjes së Ohrit”, 14 vite pas firmosjes së saj.
Sipas organizatorëve të tryezës, analiza e “Marrëveshjes së Ohrit” bëhet në përputhje me bisedimet për zgjidhjen e krizës politike në vend, si dhe me rekomandim të Komisionit Europian.
“Të gjitha të dhënat që do të dalin nga grupet e punës, do të prezantohen në një konferencë ndërkombëtare, e cila do të mbahet në fillim të dhjetorit, rekomandime të cilat duhet t’i miratojë qeveria dhe pastaj duhet të shërbejnë si një shtytje për të ardhmen”, tha Ejup Halimi, sekretar shtetëror në Qeverinë e Maqedonisë.
Tryeza është bojkotuar nga Partia Demokratike Shqiptare. Përfaqësuesit e këtij subjekti opozitar thanë se, takimi nuk është mbajtur në përputhje me metodologjinë e punës, për të cilën kanë rënë dakord gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.
“Nuk duam të jemi pjesë e një tryeze, ku ata që janë përgjegjësit kryesorë për mosimplementimin e ‘Marrëveshjes së Ohrit’ sot e 15 vite pas nënshkrimit të saj, merren vetëm me analiza dhe konkluzione. Ne nuk duam të merremi me konstatime, por duam të arrijmë zgjidhje cilësore për çështjet, që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve dhe marrëdhëniet ndëretnike, të cilat do të diskutohen në kuadër të grupit të punës, që drejtohet nga ndërmjetësuesi i Komisionit Europian, Peter Vanhoutte”, tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.
PDSH vlerëson se, njëri nga 3 postet kryesore të shtetit; kryeministri, Presidenti, apo kryetari i Kuvendit; duhet t’u takojë shqiptarëve. Këtë kërkesë, bashkë me disa pika të tjera që kanë të bëjnë me pozitën juridiko-kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoni, partia opozitare PDSH i ka shtruar në bisedimet për tejkalimin e krizës politike në vend.