Situata në kufirin jugor të Maqedonisë është e qetë. Kjo zonë ku deri dje prisnin mijëra refugjatë për të kaluar në territorin maqedonas po zbrazet. Këtu mund të shihen vetëm disa grupe refugjatësh që sapo kanë arritur nga Greqia dhe kanë ndaluar të pushojnë.
Ata që vazhdimisht arrijnë nga Greqia, në këtë tendë pajisen me dokumentet e nevojshme për lëvizur në mënyrë të ligjshme në Maqedoni.
Ndërkohë, shumica e emigrantëve që qëndruan ditë me radhë në këtë zonë të dielën janë transportuar drejt Serbisë me tren, autobusë dhe me furgona.
Pjesëtarët e policisë dhe ushtrisë që ditë më parë përdorën forcën për të ndaluar lëvizjen e refugjatëve, të dielën në mënyrë të organizuar lejonin kolonat e tyre për t’ia mësyrë qytetit të Gjevgjelisë që ndodhet afër kufirit.
“Unë jam nga Siria. Ka tre orë që pres këtu. Po shkoj drejtë Gjermanisë. Në Siri situata është e rrezikshme, gjithçka po vritet dhe asgjë s’po mbijeton. Po mundohet të shpëtoj dhe të jetoj në qetësi. Këtu nuk kam probleme, përveç pritjes së gjatë”, shprehet një refugjat nga Siria.
“Policia më ka goditur në kufirin maqedonas. Kam pritur 3 ditë në Greqi për të kaluar kufirin. Këtu erdha mbrëmë dhe po e pres autobusin për të shkuar drejtë Serbisë”, thotë një tjetër.
Për t’u ballafaquar më lehtë më fluksin e emigrantëve që hyjnë nga Greqia, autoritetet maqedonase po ndërtojnë një qendër të përkohshme për pranimin e emigrantëve, ku pritet të ngrihen çadra dhe të ndahen ndihma. Ministri i Mbrojtjes Zoran Jolevski, i cili qëndroi të dielën në këtë qendër, tha se numri i refugjatëve që vijnë drejtë Maqedonisë pritet të rritet.
“Shpresojmë se do të hartojmë një strategji bashkë me vendet e Evropës si të përballemi me këtë sfidë, sepse ky është problem i gjithë Evropës. Numri më i madh i emigrantëve vijnë nga Greqia dhe destinacioni i tyre është Europa”, thotë ministri Jolevski.
Aktivistët e organizatave humanitare që po ndihmojnë refugjatët me ushqim dhe pije, thotë se janë të tmerruar nga skenat e dhunshme që kanë parë të premten dhe i bëjnë thirrje autoriteteve të rendit të përmirësojnë sjelljen ndaj emigrantëve.
“Përfundimisht, përshtypje të keqe krijuam. Por mua më tepër më vjen keq për këta njerëz që vuajnë aq shumë këtu dhe nuk kanë asnjë mbrojtje, ndërsa tek ne bëhen lojëra politike me ta. Nuk guxojmë ta bëjmë këtë”, thotë Gabriela Andreevska, aktiviste.
Në stacionin e trenave kanë mbetur gjurmët e fluksit të madh të refugjatëve që u larguan të dielën dhe shitësit ambulantë që janë në pritje të emigrantëve të tjerë. Ata po shfrytëzojnë krizën për të përfituar, duke ju shitur emigrantëve artikuj të ndryshëm me çmime shumë herë më të larta.