Si zyrtar i BE-së nga Gjermania, Martin Schulz e nisi fjalën përpara Parlamentit shqiptar me një ndjesë të thellë për masakrën e Borovës nga ushtarët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore, që megjithëse kanë kaluar 72 vjet, presidenti i Parlamentit Europian nuk pati kurrfarë ngurrimi të deklaronte se kjo i bënte përjetë me turp bashkëqytetarët e tij.
Schulz nuk pati as ngurrimin të rikujtonte humanizmin e popullit shqiptar që hapi dyert për hebrenjtë, duke rrezikuar edhe vetë jetën gjatë luftës. “Një populli të tillë mund t’i shpreh vetëm respektin tim më të thellë”, u shpreh Schulz.
Por përgëzimi i Martin Schulz për Shqipërinë shkoi edhe për politikën e jashtme shqiptare, veçanërisht atë në rajon, duke veçuar në të raportet e mira të ndërtuara së fundmi me Serbinë.
“Me vizitën e nëntorit në Beograd, kryeministri i vendit tuaj ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt mirëkuptimin, që u pasua përpara disa javësh me vizitën e kryeministrit Vuçiç. Për këtë nismë dëshiroj t’ju përgëzoj juve, zoti kryeministër Rama”, tha Schulz.
E ndërsa dha mbështetjen për Shqipërinë në raportet me fqinjët, Martin Shulz dha gjithashtu mesazhin nga podiumi i Parlamentit shqiptar për gjithë Ballkanin perëndimor, për të mos lejuar aktorë të tretë të krijojnë kundërvënie mes fqinjëve. Pavarësisht se nuk e përmendi emrin, Presidenti i Parlamentit Europian iu referua Rusisë.
“Ne në Europë duhet të bashkëpunojmë më ngushtë në këtë aspekt, për të zbehur varësinë prej të tjerëve, prej atyre vendeve që përdorin çështjen e energjisë si presion politik. BE dhe Shqipëria kanë një përputhje të plotë sa i takon objektivave përkatëse në këtë drejtim”, theksoi Schulz.
Por ndërsa mori falenderimin e Schulz edhe për ndjekjen e të njëjtave linja si të BE-së, Shqipëria mori gjithashtu një shuplakë për politikën e brendshme, të cilën Presidenti i PE e pati ruajtur për në fund.
Kjo nuk ishte as risi e as e panjohur për deputetët shqiptarë, që siç ndodh zakonisht kur një zyrtar i huaj mban fjalime në këtë podium, janë thuajse të gjithë prezent për të dëgjuar atë se ata nuk dinë të bashkëpunojnë.
“Komisioneri Hahn shprehu shqetësimin e madh për klimën politike, gjithmonë e më konfliktuale në vend. Shprehu shqetësimin që tensioni i madh në vendin tuaj përbën rrezik të madh për procesin e reformave. Unë ndaj të njëjtat shqetësime me komisionerin. Ndaj i bëj thirrje klasës politike në Shqipëri që të veprojë në përputhje me përfundimet e dialogut të nivelit të lartë, veçanërisht përsa i përket reformave në sistemin e drejtësisë, forcimit të një gjyqësori të pavarur, efikas dhe që mban përgjegjësi për vendimet e marra”, theksoi Schulz.
Administrata dhe institucionet e pavarura, tha kreu i Parlamentit Europian, janë çelësi i suksesit në rrugëtimin drejt Europës. Por ai iu rikujtoi të zgjedhurve shqiptarë se, vende të tjera që janë sot në BE kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme për të reformuar vendet e tyre. Ndërsa këtë ua tha vendimmarrësve, mesazhi final i Martin Schulz ishte për popullin shqiptar.
“Ne, deputetët e Parlamentit Europian, jemi në krah të të gjithë atyre qytetarëve shqiptarë që duan të krijojnë një të ardhme paqësore e të përbashkët, që angazhohen për zbatimin e reformave dhe që i zgjasin fqinjit dorën për pajtim, për të jetuar së bashku në respekt të ndërsjellë dhe në paqe. Ju falenderoj zonja dhe zotërinj që kisha nderin e veçantë për të folur përpara Parlamentit të këtij vendi të madh. Faleminderit”, e mbylli fjalimin e tij Presidenti i PE-së