Në Çeki hyn në fuqi karantina, Holanda mbyll baret pas orës 22:00
Qeveritë e disa vendeve europiane nisën nga kjo e mërkurë ashpërsimin esktrem të masave të frenuar ritmet rekord të valës së dytë të përhapjes së COVID-19.
Çekia nisi të aplikojë karantinën e pjesshme duke mbyllur baret, restorantet, shkollat, konviktet, aktivitetet kulturore e sportive. Ky vend ka numrin më të lartë në Bashkimin Europian prej 324 të infektuarish për 100 mijë banorë.
Rekordet e infektimeve ditore të orëve të fundit detyruar edhe qeverinë e Holandës që të mbyllë nga ora 22:00, baret dhe restorantet për 4 javët në vazhdim.
Edhe Presidenti francez Emanuel Macron pritet të shpallë hartën e qyteteve ku do të vendoset shtetrrethimi. Mes valës së dytë të COVID-it, Franca është konsideruar vatra e nxehtë europiane ashtu si Italia për periudhën Mars-Maj. Ashpërsim të masave nga kjo e mërkurë ka edhe në Itali e Spanjë.
Rekorde infektimesh ditore shënuan 24-orëshin e fundit Gjermania dhe Polonia. Kjo e fundit shënoi edhe shifrën më të lartë të viktimave ditore të regjistruar ndonjëherë.