Mimoza Ahmeti: TË SHKRUASH, DO TË THOTË TË PROPOZOSH

Për HEJZA-n flet MIMOZA AHMETI, shkrimtare

Mimoza Ahmeti është një nga krijueset tona më të veçanta, e cila qysh në fillim të paraqitjes së saj, dëshmoi se bëhej fjalë për një individualitet që dallonte nga të tjerët. Ajo padyshim se mbetet ndër penat më të spikatura të letërsisë shqiptare bashkëkohore. Shkruan poezi dhe prozë. Disa nga veprat e saja janë: “Pjalmimi i luleve”, “Sidomos nesër”, “E fshehta e rinisë sime”, “Delirium”, “Bëhu i bukur”,”Libri i lumturisë”, “Tutori” etj

HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?

AHMETI: Rendi në të shkruar nuk është si rendi social. Por, ai bëhet rendim prej këtij të fundit, domethënë mediatizohet një sens i cili i shkon këtij të fundit më mirë se një tjetër. Të shkruash, do të thotë të propozosh. Të botohesh dhe mediatizohesh sidomos, nuk është thjesht çështje arti. Derisa shkruhet, kemi letërsi.

HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?

AHMETI: Teknikisht gjeneratat krijuese dhe qëndrueshmëria e sistemeve sociale kanë një lidhje akseleruese të përkundërt, por të kushtëzuar si lidhje. Pra nuk ka diskurs pa kurs. Ajo që të bie në sy është dinamika e ndryshimeve shumë e fortë, për integrim nëpërmjet disintegrimit. Në këto kushte të lëvizjes permanente të forcave, vështirë të kemi një gjeneratë të qëndrueshme.

HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?

AHMETI: Sot gjen gjithçka dhe me një cilësi absolute, nëse kërkon…pavarësisht se ndoshta jo në gjuhën tone. Po,r gjen edhe në gjuhën tonë.

HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?

AHMETI: Nuk e kuptoj mirë pyetjen në lidhje me institucionet e shteteve. Por natyrisht, edhe nëse mediokër, portalet luajnë rol për të afruar opinionet në një pikë konverguese.

HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces, të cilin detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergameneve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!

AHMETI: Digjitalizimi është një proces i pakthyeshëm. Personalisht pres zhvillimin e një ekonomie individuale, prodhuesi, shitësi dhe fituesi të jesh vetë. Kjo edhe për librin. Ekonomia digjitale është një fizik lirie për subjektin, nëse ai e përdor për veten e tij.

HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm?

AHMETI: Politika ka pushtuar të gjitha mediumet…është problem. Po do kalojë. Ka vite që kjo zhurmë bën një polucion të tmerrshëm për qenien. Do kalojë.

Leave a Reply