Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, ka inspektuar paraditen e së shtunës punimet në aksin Lin-Pogradec.
Haxhinasto u shpreh se “të gjitha punimet në këtë aks rrugor do të përfundojnë brenda afatit” dhe shtoi se “rruga Lin-Pogradec do të jetë gati për sezonin turistik”.
“Po bëhet çmontimi i hekurudhave dhe po punohet për ‘ringjalljen’ e tyre. Riparimi i tyre është i domsdoshëm”, u shpreh Ministri i Transporteve.
Rruga Lin-Pogradec është problemi më i madh që çdokush, i cili udhëton drejt Korçës apo pikës doganore të Kapshticës, has në rrugëtimin e tij.
Kjo rrugë është i vetmi kalim për të gjithë tregtinë që bëhet me Greqinë nga pika e kalimit kufitar. Por, në vend që të ndihmojë ekonominë e zonës, gjendja e kësaj rruge është në listën e arsyeve se përse ekonomia e zonës së juglindjes nuk funksionon.
Rruga nisi ndërtimin disa vite më parë dhe duhet të përfundojë sipas kontratës më 29 shtator. Qeveria vitin e kaluar e kaloi në listën e rrugëve prioritare dhe shleu çdo detyrim të prapambetur.