Misioni i vështirë i Merkelit në Ankara

Kancelarja gjermane Angela Merkel për herë të dytë bisedon të hënën (08.02) në Ankara për zgjidhjen e krizës së refugjatëve. Turqia shihet si një vend kyç në zbutjen e valës së refugjatëve drejt Europës.

Vetëm para tre javësh Merkel bisedoi në Berlin me kryeministrin turk, Davutoglu për krizën e refugjatëve në kuadër të konsultimeve qeveritare gjermano-turke, të zhvilluara për herë të parë në Gjermani. Tani kancelarja gjermane viziton Ankaranë sërish për të nxitur Turqinë të vërë në jetë marrëveshjen e bërë me Bashkimin Europian. Vendet e Bashkimit Europian janë të varura nga Turqia në rast se duan të ulin numrin e refugjatëve që vijnë në Europë. Këtë e tregon edhe vizita e kancelares gjermane, e dyta pas shpërthimit të krizës së refugjatëve. Në tetorin e vitit të kaluar kancelarja gjermane vizitoi pikërisht Ankaranë për të gjetur rrugëdalje nga kriza.

Ankara: Numri i refugjatëve është ulur

Megjithë premtimet e Ankarasë për të penguar valën e refugjatëve, ende vijnë mijëra refugjatë nga Turqia përmes Greqisë në Europë. Merkel i kushton vëmendje në Ankara pikërisht mbrojtjes më efektive të kufijve. Vendet europiane e kanë akuzuar Turqinë se nuk po bën aq sa duhet, dhe se kufijtë e saj janë lehtësisht të kalueshëm. Turqia nga ana e saj nuk e pranon këtë. Sipas ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu në takimin e fundit të ministrave të Jashtëm të BE- së në Amsterdam që tani vijnë më pak refugjatë nga Turqia në Greqi. Informacione të kundërta me këtë ai i ka cilësuar si “manipulime të mediave në disa kryeqytete europiane”. Aktualisht Turqia po pengon hyrjen në vend të dhjetëra mijëra sirianëve që janë larguar nga luftimet në Alepo.Por edhe premtimet financiare të BE-së për Turqinë janë temë e bisedimeve. BE i premtoi Turqisë 3 miliardë euro për të menaxhuar krizën e refugjatëve dhe për t’u kujdesur për më shumë se 2 milionë refugjatë në vend. Si këmbim BE pret që Turqia të ndalë udhëtimin e pakontrolluar të refugjatëve. Por Turqia kërkon më shumë para.Merkel mbërrin të hënën herët në mëngjes (08.02) në aeroportin e EsenbogasKomuniteti turk: Merkel duhet të flasë për gjendjen në TurqiVizita e Merkelit në Ankara shoqërohet me reagime në Gjermani. Komuniteti Turk në Gjermani ka kërkuar që Merkel të prekë edhe temën e shkeljes së të drejtave të njeriut në Turqi. Kryetari i këtij komuniteti, Gökay Sofouglu është shprehur në një intervistë për “Rheinische Post” se “Merkel dhe BE nuk duhet të lejojnë që Turqia të shkelë me këmbë të drejtat e kurdëve dhe lirinë e shtypit.”

Edhe një nga krerët e partisë së Gjelbër, Cem Özdemir ka kërkuar nga Merkel që të flasë hapur për gjendjen në Turqi.

“Unë pres që Merkel të flasë hapur dhe të kritikojë shkallëzimin e situatës dhe represionin në zonat kurde”, ka thënë Özdemir. Ndërsa kryetarja e fraksionit të Gjelbër, Katrin Göring-Eckardt do të përshëndeste lehtësimin e procedurës së vizave për Turqinë. Për ARD-në ajo tha se “nëse dëshirojmë që Turqia të rikthehet në rrugën demokratike, atëherë duhet të kujdesemi për lirinë e vizave.” Sipas saj, “kjo do të jetë një nga mundësitë që njerëzit aty të shohin se gjërat mund të jenë edhe ndryshe.”

Leave a Reply