Myslimanët e vendit ndjehen të braktisur nga “reisi i falcifikuar”

Bota e di se kush është Shaqir Fetai, ky farë “reisi i falcifikuar”, kështu që, mirësjellja e botës, qoftë edhe përmes urimeve dhe përshënetjeve, nuk është se e justifikon falcifikatorin. Thjesht, nëse mileti e pranon, bota e uron, por kjo uratë nuk e zbeh informacionin mbi falcifikatin konkret, i cili, përjetë i ngelë falcifikatorit në qafë si medalion i ndryshkur e i vjedhur katakombeve të lashta

Shkruan Sabit Ibrahimi

Një banor, i ri, i sapodiplomuar, pas disa viteve studime islamike, kthehet në vendlindje. Pasi u çmall me pjesëtarët e familjes, vendosi të dalë e të përshëndetet me gjithë katundin. E ku do të gjente vend më të përshtatshëm se në xhami, në prag të faljes apo pas faljes së namazit. Qëlloi ditë e xhuma, edhe më mirë. Imami i xhamisë ishte paksa në moshë, me mjekër të gjatë e me flokë të bollshme e të thinjur që i kishin dalur nga çallma. I shkolluari e dëgjoi hutben, të cilin imami i xhamisë çuditërisht kësaj radhe e zgjati, ndonëse me një drithërimë të paparë më herët të zërit. Pasi u fal namazi, i riu u ngrit në këmbë dhe ia plasi në fytyrë:

Kisha vendosur që të përshendetem me të gjithë ju, duke filluar nga imami por, me këtë vaz që dëgjova, me këtë heshtje totale që mbretëroi deri sa fliste imami, në fakt të gjithë ju e miratuat vazin e imamit dhe, në njëfarë forme u futët në dalalet. Imamit t’i vie turp sepse, në ligjeratën e tij vetëm islam nuk pati, kurse ju që e dëgjuat me heshtje e me sy të përlotur, dëshmuat se nuk jeni në rrugë të mbarë!
U iritua masa dhe, të pezmatuar sa më s’ka, të gjithë iu turrën imamit të vjetër të xhamisë dhe, kush grushta, kush shqelma, e bënë për lëkurë dashi imamin. Unanimisht vendosën që, pa e pyetur askend, për imam ta caktojnë studentin e sapodiplomuar që e bëri këtë “revolucion” në xhami.
Pas një javë shërbime, imami i ri, i shkolluari, e vërejti që nuk do të mund ta shtyej më gjatë, e vërejti që nuk mund ta zgjasë me kërkesat e përditshme të xhematit, i dukej se lodhej shumë, i dukej se po vdes për gjumë, sepse namazi i sabahut falej herët, namazi i jacisë falej shumë vonë, pas namazit ia krisnin bisedës, xhemati kërkonte të dijë më shumë, filluan të kërkojnë që t’ua shkollojë edhe fëmijët. U bë shumë e lodhshme. Në xhumanë e radhës, e pa në mes të xhamisë imamin e vjetër, i enjtur akoma e i maviosur fytyrës, kishte ardhur të falë xhumanë. Të riut iu kujtua dhe me një zë kumbus iu drejtua xhematit:

Vëllezër, a e shihni këtë mysliman këtu në mes, këtë ndriçues të mendjes sonë, këtë person që ua ka falur deri dje të gjithë namazet dhe ju ka prirë në rrugën e Zotit! Mbrëmë pashë një ëndërr, mbi kokë më zbritën tri melaqe dhe, njëra prej tyre më foli shumë gjatë për të. Unë po i bie shkurtë: duhet të merrni sa më parë hallallëk prej tij, sepse, ai, jo vetëm që na qenka njeri i shejtë por, edhe çdo qime të mjekrës, çdo fije të flokut ai e paska të shenjtë. Qenka një lloj evliaje për katundin tonë.
Pa një pa dy, xhemati u ngrit rrëmbimthi dhe, të gjithë u turrën kah imami i vjetër që t’i kërkojnë hallallëk dhe, në përshëndetje e sipër, të gjithë nisën t’ia shkulin, kush një qime, kush dy, kush një grusht qimesh ga mjekra, pastaj edhe qimet e kokës dhe, për dy-tre minuta, njeriun e bënë tullac. Nga tortura imami plak u çmend, kurse, imami i ri iku. Kurrë nuk u pa më. Thonë që u kthye në vendin ku kishte studiuar dhe ku e kishin mësuar që të bëjë ndryshime në mesin nga vjen dhe popullatën atje ta bëjë sa më terbije.
Ky rrëfim, me tërë porosinë e vet, i dedikohet Shaqir Fetait, të vetëshpallurit kryetar i BFI-së, apo të zgjedhurit “reis i falcifikuar” i BFI-së! I vetmi “reis” që i shkoi ndoresh të zgjidhet dy herë brenda gjashtë muajve! Çka fletë kjo?
Për momentin kemi një reis që privacinë e ndanë me opinionin e gjërë botëror, dhe, të gjithë druajnë se tani i ka ngelur që me këtë opinion ta ndajë edhe intimën e vet. Urimet dhe përshëndejet, sado oficiale, janë gjë private që mund t’i ruash në një dosje personale, në shtëpi!
Futet njeriu tek nobelistët, futet njeriu tek faqet e kryetarëve të shteteve, tek Xho Bajdeni, futet njeriu te faqa zyrtare e OBSH, UNDP, te OSBE, te NATO, futet njeriu në faqet e gjenive të kohës, tek zbuluesit e risive, e deri te biografitë e të mëdhenjëve, por edhe te ato të Pejgamberëve! Askund nuk e hasë “praktikën” e turpshme të Shaqir Fetait. Publikimin e urimeve dhe përshëndetjeve, vizitat e kota e krejt të parëndësishme, politikat e jargosura e servile dhe shumë fyese të personave pa kurrfarë personaliteti! Nuk publikohen sepe nuk janë të arritura, nuk janë aktivitete, as informacione që duhet të ndahet me të tjerët. Kështu si ia ka nisur Shaqir Fetai nuk është çudi që shumë shpejtë të na informojë se, djali i tezes së shokut të fëmijërisë, i ka thënë djalit të hallës së komshiut të kushëririt të parë, që t’i bëjë të fala Shaqir Fetait.
Kjo “praktikë e turpshme” e Shaqir Fetait nuk është për opinion, sepse nuk e gjenë askund, në asnjë organizatë botërore, në asnjë faqe të personaliteteve me peshë botërore, që drejtojnë me botën e me fate të njerëzimit. Shaqir Fetai e torturon botën me informacione të tipit më idiotik “sot zgjodha shefin e ri të kabinetit”!
A ka ndonjë njeri në botë që mund ta mësojë Shaqir Fetain si të sillet, t’ia mësojë njerëzillëkun dhe protokolin e Institucionit i cili nuk konsiston vetëm në mbajtje të maskës, distancë dhe higjienë personale. Sepse, me gjasë, Shaqir Fetai nuk nje protokol tjetër, mbase për herë të parë me këtë nocion përballet tani, në kohë pandemie. Protokoli i Institucionit do të thotë, veç tjerash, të mësuarit: si të buzëqeshë, si të ulet, si të rrijë në këmbë, si të marrë pozë fotgrafimi, si të ecë, si të sillet, si të mendojë, ta mësojë bontonin e përgjithshëm, metodologjinë e veprimit, si t’i qasemi punëve, si të arrihen sukseset, si të mburremi, si të shprehim dhembje, si ta shprehim trishtimin, nervozën, dashurinë. Pra, protokoli është një gërshetim i edukatës dhe kulturës, metodikës dhe logjikës, filozofisë dhe konkretes. Protokoli është një akademi më vete për të cilën Shaqir Fetai kurrë nuk ka dëgjuar dhe jo më të jetë brenda saj!
Shaqir Fetai para gjashtë muajve e alarmoi krejt botën se u zgjodh kryetar e Reisul Ulema i BFI-së! Nën këtë mashtrim kaq eklantant, duke qenë e bindur bota se gënjeshtra nuk do të arrinte aq lartë, të gjithë ia uruan këtë “zgjedhje”. Tani, pas gjashtë muajve, po kjo “botë” sërish ia uron Shaqir Fetait zgjedhjen për kryetar e reis i BFI-së. Kur u vu bota në lajthitje: tani apo edhe para gjashtë muajve?! Kur e pati të saktë urimin “bota”, tani apo para gjashtë muajve? Kur gënjeu Shaqir Fetai, tani apo para gjashtë muajve!? Bota nuk do ta kuptonte këtë marri të Shaqir Fetait sikur ky mos të merrej gjasht muaj duke i dhënë peshë dhe rëndësi vetes, duke ia kërkuar botës me zor që t’i shprehin respekt! Tani, të njëjtën gjë, edhe për nja gjashtë muaj të tjerë do ta hasim te Shaqir Fetai: ma uroi ky e ai, më paraqiti kënaqësi të veçantë ky urim e kjo vizitë, përjetova diçka si orgazëm nga kjo vizitë madhështore e nga shprehja e gatishmërisë për bashkëpuni me mua…
Myslimanët e vendit, jo që u ndjenë të poshtruar, të fyer, të turpëruar por, tani po ndjehen edhe të braktisur nga “reisi i falcifikuar”, sepse, ky po merret me “imazhin” e vet. A mund të na thotë Shaqir Fetai se pse e ka këtë nevojë që të merret me imazhin e vet, çka në të vërtetë fshihet pas Shaqirit të vërtetë, pse kjo “strategji e sëmurë” për të dëshmuar se Shaqir Fetai adhurohet dhe duhet prej të gjithëve, nuk urrehet, sepse nuk ka bërë asgjë të keqe në jetë! Pse kjo dëshirë për t’u rrëfyer si njeri i mirë dhe jo i keq! Do me thënë se ekzistojnë dy lloj Shaqir Fetai: ky i miri dhe, eventualisht ndonjë i keq që ka marrur më qafë një katund, një qytet e një milet të tërë!
Bota e di se kush është Shaqir Fetai, ky farë “reisi i falcifikuar”, kështu që, mirësjellja e botës, qoftë edhe përmes urimeve dhe përshënetjeve, nuk është se e justifikon falcifikatorin. Thjesht, nëse mileti e pranon, bota e uron, por kjo uratë nuk e zbeh informacionin mbi falcifikatin konkret, i cili, përjetë i ngelë falcifikatorit në qafë si medalion i ndryshkur e i vjedhur katakombeve të lashta!
Krejt bot e di se si u falcifikua Shaqir Fetai në krye të BFI-së. E di edhe vetë Shaqir Fetai, madje është shumë i vetëdishëm. Erdhi në krye duke shkelur Kushtetutën e BFI-së, ndaj është shumë i vetëdishëm se nuk do ta gëzojë gjatë “prestizhin”! Ai shumë shpejt, për interesin personal, absolutisht, meskin, do të duhet të kthehet aty ku ka shkelur Kushtetutën dhe të nisë të korrigjojë shkeljet. Një për një e deri te shkelja epike në kandidimin e vet për kryetar në ndërkohë që ai ishte “zgjedhur njëherë kryetar” (këtë e dëshmojnë qindra urime e vizita që i publikoi para gjashtë muajve)! Ai duhet të çlirohet nga të gjithë shkelësit e Kushtetutës, ndërsa Kushtetuta duhet të çlirohet nga të gjithë shkelësit e vet!
A mos do t’i ndodhë edhe Shaqir Fetait e njëjta gjë që i ndodhi personazhit të rrëfimit në krye të këtij teksti?!

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=1056382954880673&id=100015269346325

Leave a Reply