Burime ujore rrjedhin përposhtë nëpër kanione dhe kratere malesh gjatë muajve të verës në planetin Mars. Ky është rezultati më i fundit i publikuar nga shkencëtarë të NASA-s, një zbulim që sipas tyre shton mundësitë që planeti të jetë “shtëpi” e formave të ndryshme të jetës.
Rrjedhat e ujit lënë shenja të gjata dhe të errëta në terrenin marsian, që mund të shkojnë deri në qindra metra në tatëpjetë gjatë muajve të ngrohtë të vitit, përpara se të thahen në vjeshtë, për shkak të rënies së temperaturave në sipërfaqe.
Imazhet e marra nga orbita e Marsit tregojnë shkëmbinj, si dhe mure të pjerrëta luginash dhe krateresh, të mbuluara me vija të shumta rrjedhash gjatë stinës së verës, e që në pikat më aktive kombinohen së bashku për të formuar pamje tepër të ndërlikuara në formë labirinthi.
Shkencëtarët janë ende të pasigurt se nga vjen ky ujë, por dyshojnë se mund të vijë nga ajkujt e nëntokës, ose ujëmbajtësit e kripur, ose të mund të kondensohen në atmosferën e hollë të Marsit.
“Kemi parë ujë të lëngshëm në sipërfaqen e Marsit”, thotë Michael Meyer, kreu i grupit studiues të NASA-s që merret me zbulime mbi Marsin. “Për shkak të kësaj që kemi parë, dyshojmë se minimalisht është e mundshme që Marsi të ketë një ambient të banueshëm gjatë ditëve të sotme”.